Lidhje

SHBA: Rivalët demokratë shtojnë sulmet ndaj senatores Clinton në garën presidenciale


Gara për emërimin e kandidatit të Partisë Demokrate për President po ashpërsohet. Për herë të parë gjatë fushatës, rivalët e senatores Hillary Clinton besojnë se kanë një strategji që mund ta sfidojë statusin e saj si kandidatja kryesore për emërimin e partisë së saj vitin e ardhshëm.

Debati i fundit mes demokratëve shënoi një ndryshim në taktikat për kundërshtarët e Hillary Clintonit.

Rivalët e saj po diskutojnë tani nëse ajo është demokratja me më shumë shanse për t’u zgjedhur përballë republikanëve vitin e ardhshëm.

Senatorja Clinton kryeson me një diferencë të madhe në sondazhet e opinionit publik ndaj rivalëve të saj më të fortë senatori Barack Obama i Ilinoit dhe ish-senatorit John Edwards i Karolinës së Veriut.

Kundërshtarët demokratë të zonjës Clinton por ngrenë pikëpyetje për qëndrimet e saj ndaj Iranit, luftës në Irak dhe emigracionit në një përpjekje për ta paraqitur atë si kandidate jo të vendosur dhe tek e cila nuk mund të kesh besim.

Senatori Obama tha në debatin e fundit se zonja Clinton është shndërruar në kandidaten që republikanët do të preferonin ta kishin përballë vitin e ardhshëm.

“Mendoj se një nga arsyet që republikanët të luftojnë kaq shumë Hillary, është sepse ti do të ishte një kundërshtare shumë e favorshme për ta”.

Gjatë debatit, zonja Clinton dha përshtypjen se po mbante qëndrime kontradiktore brenda disa minutash lidhur me një propozim në shtetin e Nju Jorkut për t’u dhënë emigrantëve të paligjshëm patenta për automjete.

Në fillim, senatorja Clinton la përshtypjen se ishte dakord me këtë ide, por pastaj u tërhoq.

Ish-senatori John Edwards tha se përgjigjia e paqartë e zonjës Clinton do ta linte atë të ekspozuar ndaj sulmeve republikane.

“Senatore, ata në fakt mund të preferojnë t’ju kenë juve përballë dhe kjo është arsyeja që ju përmendin vazhdimisht. Amerikës i duhet një president që nuk do t’i ndryshojë qëndrimet, që do të jetë i drejtpërdrejtë me ta”.

Zonja Clinton i sheh sulmet e republikanëve me krenari.

“Republikanët dhe sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj meje tregojnë qartë se ata mendojnë se unë po e shpreh me efektivitet se çfarë do të bëj si president”.

Megjithëse kryeson në sondazhe, zonja Clinton përballet me sfida të konsiderueshme politikisht.

Sipas anketave, ajo është kandidatja më polarizuese në garë nga të dyja partitë. Maurice Carroll organizon anketa në Universitetin Quinnipac në Connecticut.

“Numri i atyre që janë kundër saj është i njëjtë me atë që e mbështesin: 46 për qind. Kjo do të thotë që nëse ajo zgjidhet, dhe këtu ka një ngjashmëri me kandidatin republikan Giuliani megjithëse jo në këto përmasa, ka shumë njerëz që nuk e pëlqejnë atë”.

Ky shqetësim i ka bërë disa demokratë të shprehin dyshime për shanset e saj për t’u zgjedhur, nëse bëhet kandidatja e partisë vitin e ardhshëm.

Steffen Schmidt është ekspert politik në Universitetin Shtetëror të Iowas, ku do të fillojë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për të dyja partitë më 3 janar.

“Përqindja e atyre që nuk e pëlqejnë është shumë e lartë, kështuqë megjithëse ajo është në pozita shumë të forta, shumë demokratë po ngrenë pyetjen nëse ajo mund të fitojë ndaj një republikani. Dhe kështu në Iowa, nëse ka ndonjë dyshim për pozitat e saj, të paktën do të hapet rruga për një diskutim tjetër mes demokratëve para se të bëhen votimet për zgjedhjet paraprake”.

Energjia e zonjës Clinton dhe vullneti për t’iu përgjigjur me forcë sulmeve politike mund të jetë edhe një avantazh për të ndërsa përpiqet të bëjë për vete votuesit demokratë në shtetet ku bëhen votimet paraprake si Iowa dhe New Hampshire, veçanërisht gratë. Dante Scala është ekspert politik në Universitetin e New Hampshire.

“Ata sigurisht që duan të kenë dikë që mund t’i përvballojë sulmet e Partisë Republikane. Dhe mendoj se fakti që zonja Clinton ka qenë në qendër të aq shumë sulmeve për vite me radhë u përçon votuesve demokratë idenë se ajo është gati të luftojë”.

Megjithëse senatorja Clinton kryeson me diferencë të madhe në anketat kombëtare mes demokratëve, kjo diferencë është shumë më e vogël në shtetet e Iowas dhe New Hampshire ku bëhen votimet e para brenda partive. //kk//

XS
SM
MD
LG