Lidhje

Gjëndje e jashtëzakonshme në Pakistan


Presidenti i Pakistanit Pervez Musharaf shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe pezulloi kushtetutën, duke e futur vendin më thellë në kaos politik në atmosferën e një vale dhune islamike. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, qeveria bllokoi transmetimet e kanaleve private të lajmeve në disa qytete dhe ndërpreu shërbimet e telefonisë në Islamabad.

Trupat e ushtrisë u dislokuan në të gjithë kryeqytetin Islamabad dhe rrethuan ndërtesën e Gjykatës së Lartë ku po shqyrtohej kushtetutshmëria e rizgjedhjes së zotit Musharaf në fillim të këtij muaji. Gjykata urdhëroi menjëherë shfuqizimin e gjendjes së jashtëzakonshme por qeveria nuk e përfilli urdhërin.

Televizioni shtetëror tha se kryetari i Gjykatës së Lartë, Iftihar Chaudri është shkarkuar nga posti. Gjenerali Musharraf u përpoq pa sukses ta shkarkonte zotin Chaudri në fillim të këtij viti, gjë që u bë shkak për protesta popullore kundër sundimit ushtarak.

Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice i tha televizionit CNN nga Turqia se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është shumë për të ardhur keq. Ajo bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët dhe për një kthim të shpejt drejt demokracisë. Edhe India fqinje i bëri thirrje qeverisë pakistaneze të rivendosë demokracinë.

Shtetet e Bashkuara thonë se janë shumë të shqetësuara nga vendimi i presidentit Musharraf për të shpallur gjendjen e jashzakonshme duke e quajtur këtë vendim si një hap prapa për demokracinë në Pakistan.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha sot se Shtetet e Bashkuara presin nga presidenti Musharraf të mbajë premtimet e tij për të organizuar zgjedhje dhe për t'u larguar nga posti i kreut të ushtrisë së Pakistanit para se të bëjë betimin si president më 15 janar.

Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara i qëndrojnë përkrah popullit të Pakistanit në përkrahje të procesit demokratik dhe në luftën kundër ekstremizmit. Edhe Britania ka shprehur shqetësime rreth vendimit të presidentit Musharraf dhe i ka bërë thirrje atij të veprojë në përputhje me kushtetutën. Ministri i jashtëm i Britanisë David Miliband tha se edhe pse Britania e Madhe është e vetëdijshme rreth rrezikut ndaj paqes dhe sigurisë në Pakistan, stabiliteti mund të ruhet vetëm përmes demokracisë dhe shtetit ligjor. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Indisë shprehu keqardhje për kohë të vështira në Pakistan, siç i quajti ai, duke shtuar se India shpreson që normaliteti të kthehet sa më shpejt. //rd//

XS
SM
MD
LG