Lidhje

Profil i kandidatit republikan Mit Romni


Ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Mit Romni, vazhdon të jetë në krye të kandidatëve të Partisë Republikane, që përpiqen të sigurojnë emërimin e partisë në zgjedhjet paraprake në shtetet Ajova dhe Nju Hempshër. Megjithatë, zoti Romni është mbrapa disa prej kandidatëve më të njohur në anketat kombëtare të opinionit. Analistët politikë vlerësojnë fushatën plot energji të ish guvernatorit, por thonë se ndryshimi i qëndrimeve të tij rreth çështjeve të debatueshme si dhe besimi i tij fetar mormon mund të jenë pengesa serioze në fushatën e tij për në Shtëpinë e Bardhë.

Në pamje të parë, Uillërd Mit Romni do të dukej një kandidat i përsosur për president të Shteteve të Bashkuara. Kur e sheh në televizion, ai është tërheqës, plot energji dhe duket se i pëlqen të takohet me amerikanët e thjeshtë kur bën fushatë.

Shumica e analistëve politikë e shikojnë Mit Romnin si një politikan të sofistikuar dhe mjaft karizmatik. Kandidati republikan 60 vjeçar lindi në një familje të njohur në politikë, u diplomua nga Universiteti i Harvardit dhe në të kaluarën, zoti Romni ka qënë një sipërmarrës kapitalist me pasuri, që kapte shifrën e 350 milion dollarëve.

Në vitin 2003, zoti Romni bëri betimin si guvernator republikan në shtetin kryesisht demokrat të Masaçusets. Kandidatura e tij mori hov pasi ai menaxhoi me sukses Olimpiadën Dimrore të vitit 2002 në Salt Lake City, e cila ishte dëmtuar nga një skandal ryshfetesh. Ndryshimet e sukseshme të ndërmara nga guvernatori Romni në Lojrat Olimpike e bënë atë një figurë popullore kombëtare dhe i krijuan atij rrethanat që të kandidonte për postin e guvernatorit dhe tani për emërimin e Partisë Republikane për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

Lleri Sabato, drejtor i Qendrës së Politikave në Universitetin e Virxhinias, thotë se guvernatori Romni është një kandidat i fortë. “Ai është kandidati më energjik dhe me një rend dite më të ngjeshur. Ai duket se përpiqet më shumë të sigurojë emërimin e partisë. Të gjitha këto janë të rëndësishme për të siguruar emërimin e partisë”.

Zoti Romni lindi në vitin 1947 në Detroit të shtetit Mishigan. I jati ishte guvernator i atij shteti si dhe ish kandidat për president. Zoti Romni u rrit në Kishën Mormone, e njohur edhe si Kisha e Shënjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Feja mormone vazhdon të jetë një mister për shumë amerikanë.

Ky besim fetar mbështet idealet amerikane të optimizmit, punës së madhe dhe thjeshtësisë. Anketat e opinionit tregojnë se 35 për qind e amerikanëve thonë se ka më pak të ngjarë të votojnë për një kandidat mormon për president, dhe kjo thotë analisti politik Sabato është problem për zotin Romni. “Liberalët janë kundër mormonëve sepse filozofia e tyre është shumë konservatore. Konservatorët janë kundër mormonëve sepse fetë fondamentaliste i konsiderojnë ata si një kult. Këto dy rryma mund ta dëmtojnë rëndë kandidaturën e zotit Romni”. Zoti Romni është pasardhës i mormonëve pionerë, madje është udhëheqës i apasionuar i kishës moderne. Ai kaloi më shumë se 2 vjet si misionar në Evropë dhe thotë se nuk beson se feja do të dëmtojë shanset e tij për t’u zgjedhur.

Kur zoti Romni ishte guvernator i Masaçusets ai e paraqiti veten si një politikan i moderuar, që favorizonte të drejtat e abortit, tërhiqte votues homoseksual dhe mbronte grupet e mjedisit. Por ndërsa përgatitej të vinte kandidaturën për president, zoti Romni ndryshoi qëndrimet e tij ndjeshëm, duke folur kundër abortit dhe duke kritikuar martesat mes homoseksualëve. Ai filloi të mbante qëndrim konservator edhe për çështje të tjera shoqërore. Kritikët përdorin frazën ‘flip-flop’, që përdoret në Amerikë, për të përshkruar pikpamjet e ndryshuara të një kandidati, në këtë rast të zotit Romni, i cili thotë se qëndrimet e tij kanë evoluar, me kalimin e viteve. “Jo çdo gjë për të cilët besoja para 10-12 vjetësh është sot njësoj”. Lidhur me politikën e jashtme, Mit Romni mbështet shtimin e fundit të trupave amerikane në Irak dhe ka kritikuar ashpër udhëheqësit e Iranit.

Megjithëse nuk ka shërbyer ndonjë herë në ushtri, zoti Romni e portretizon veten si përkrahës të fortë të burrave dhe grave amerikane në uniformë. Shpesh zoti Romni bën fushatë me pjesëtarë të familjes, përfshirë edhe gruan e tij Ann dhe 5 djemtë e tyre dhe 10 nipërit dhe mbesat. Tani fushata është përqëndruar në zgjedhjet e para paraprake, që mbahen në shtetet Ajova dhe Nju Hempshër, me shpresë se një fitore e mirë në këto zgjedhje do t’i jepte shtytje zotit Romni, që të dilte në krye të kandidatëve të tjerë republikanë për president. //rd//

XS
SM
MD
LG