Lidhje

Kesiç: Mbështetja e njëanëshme për pavarësinë e Kosovës mund të ketë pasoja


Nëse Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë e Kosovës pa një mbështetje shumëpalëshe dhe jo nëpërmjet institucioneve si Këshilli i Sigurimit, pasojat nuk do të ndjehen vetëm në Ballkan, por edhe për rajone të tjera të ndjeshme të botës. Kështu shprehet analisti serbo-amerikan Obrad Kesiç, konsulent biznesi në një firmë këtu në Uashington. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Kesiç thotë se nëse shqiptarët e Kosovës janë gati të bëjnë kompromis për arritjen e një prej objektivave më të rëndësishëm, që sipas tij është vetë-qeverisja, atëhere ekziston mundësia, që të arrihet një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Kesiç, ndërsa afrohet afati i fundit i 10 dhjetorit për negociatat shtesë, duke pasur parasysh deklaratat dhe qëndrimet e ndryshme të shprehura nga palët e angazhuara në këtë proces, ç’mendoni ju, si do të përfundojë periudha shtesë 120 ditëshe?

Obrad Kesiç: Duke u nisur nga ritmi i negociatave, deklaratat e bëra si publikisht dhe jo-publikisht, nuk pres që të ketë një rezultat të rëndësishëm, nuk mendoj se do të arrihet një marrëveshje midis serbëve dhe shqiptarëve lidhur me statusin e Kosovës, madje nuk mendoj se do të ketë konsensus mes ndërkombëtarëve për një qëndrim të përbashkët se çfarë do të ndodhë në rast të mungesës së një marrëveshjeje. Mendoj se do të ketë thirrje si nga Trojka, të paktën nga përfaqësuesi rus, nga vende të tjera në Këshillin e Sigurimit dhe në komunitetin ndërkombëtar që negociatat të vazhdojnë. Me siguri që Beogradi do të mbajë një qëndrim të tillë, me argumentin se është bërë përparim në kontaktet e para të drejtëpërdrejta midis Prishtinës dhe Beogradit dhe se ky proces nuk duhet përfunduar vetëm sepse është caktuar një afat në kalendar. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane të angazhuara më shumë në këtë proces, si Britania, Gjermania, Franca, do të shprehen se duhet marrë një vendim brënda një afati të arsyeshëm. Nuk mendoj se ky afat do të jetë në dhjetor, por do të shtyhet për vitin e ardhshëm, kur do të përcaktohet se ç’do të ndodhë atëhere. Nëse shqiptarët shpallin pavarësinë, atëhere përjashtohet mundësia e një zgjidhjeje nëpërmjet negociatave, dhe mbetet për t’u parë nëse shpallja e pavarësisë njihet nga komuniteti ndërkombëtar. Është e vërtetë se në çështjen kryesore atë të statusit nuk është bërë përparim, por në fund të fundit duhet përcaktuar nëse disa prej çështjeve të dyta, rreth të cilave ekziston një farë konsensusi, janë mjaft të rëndësishme për të arritur marrëveshje, duke shmangur vendimin përfundimtar mbi statusin.

Zëri i Amerikës: Cila do të ishte alternativa më e mirë, alternativa më funksionale për zgjidhjen e statusit të Kosovës?

Obrad Kesiç: Ju e ndryshuat pyetjen kur shtuat fjalën ‘funksionale,’ sepse natyrisht zgjidhja më e mirë është kur ajo arrihet nëpërmjet negociatave, që bazohet në kompromiset e bëra nga të dyja palët, por kur flitet për zgjidhje ‘funksionale’ për mendimin tim ajo nuk ekziston. Për mendimin tim këtu kemi të bëjmë me një çështje shumë më të rëndësishme se sa statusi i Kosovës. Dhe kjo për 3 arsye: Së pari, është precedenti që do të krijohet. Megjithë deklaratat veçanërisht të diplomatëve amerikanë se Kosova është unike, lëvizjet separatiste janë në pritje të shikojnë se ç’do të ndodhë në Kosovë. Së dyti, është çështja nëse do të tejkalohet Këshilli i Sigurimit. Kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe ka pasur pasoja të tmerrshme. Dhe së treti, është se kush do të garantojë pavarësinë e Kosovës? Si Shtetet e Bashkuara edhe vendet evropiane nuk janë në pozitë të favorshme të angazhojnë trupa për të garantuar pavarësinë.

Zëri i Amerikës: Ju thoni se nëse vendimi për statusin e Kosovës nuk meret në Këshillin e Sigurimit, pasojat do të jetë të rënda. Ndërkohë, Rusia do t’i vinte veton çdo rezolute, që i jep Kosovës pavarësinë. Ngrihet pyetja: Si mund të tejkalohet vetoja e Rusisë?

Obrad Kesiç: Tani ne e dimë se Rusia ka këtë qëndrim, por mendoj se ka shumë mënyra për ta kaluar këtë pikë. Çështja është cilat janë aspektet më të rëndësishme për të dyja palët. Për Serbinë, çështja më e rëndësishme është ruajtja e sovranitetit, që kufijtë të mos ndryshohen arbitrarisht jashtë Këshillit të Sigurimit si dhe vet-qeverisja që do t’u jepej shqiptarëve. Për shqiptarët, çështja do të vijë në atë pikë nëse ata janë gati të pranojnë pavarësinë de-fakto, ku Beogradi nuk do të kishte asnjë rol në procesin vendim-marrës në nivelin lokal, por simbolizmi i pavarësisë nuk sigurohet tani. Nëse shqiptarët janë gati të bëjnë kompromis në arritjen e një prej objektivave më të rëndësishëm, që është vetë-qeverisja, atëhere ekziston mundësia, që të arrihet një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit. Por nëse simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës është po aq i rëndësishëm sa edhe subctanca e vetë pavarësisë, atëhere është e drejtë të thuhet se nuk është e mundur të arrihet kompromis.

Zërii Amerikës: Le të flasim pak për qëndrimin amerikan. Për një kohë të gjatë Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës, qëndrim ky që nuk ka ndryshuar, por as nuk është marrë një vendim në bazë të këtyre deklaratave. Ç’ndikim mund të ketë tek popullsia e Kosovës qëndrimi amerikan, pra mbështetja e pavarësisë, por jo veprim në këtë drejtim?

Obrad Kesiç: Kjo është një prej pakënaqësive të mija, sepse janë bërë kaq shumë deklarata, saqë unë i shikoj ato si të papërgjegjshme. Që prej fillimit të negociatave, gjithnjë u vendosën afate, por nuk u respektuan dhe ende nuk është marrë një vendim. Në një situatë të tillë kemi të bëjmë me një çështje kredebiliteti, çështje kredebiliteti për presidentin, për Shtetet e Bashkuara e për Bashkimin Evropian, në vend që të përqëndrohemi në çështjen kryesore që është gjetja e zgjidhjes më të mirë për të ruajtur stabilitetin jo vetëm në rajon, por në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara mund të marrin çfarëdo lloj vendimi dhe asnjeri nuk mund t’i ndalojë ato, por kur ky vendim nuk ka mbështetjen shumë palëshe dhe nuk meret nëpërmjet institucioneve si Këshilli i Sigurimit, pasojat dëmtojnë rëndë qëndrueshmërinë dhe në këtë rast pasojat nuk do të jenë vetëm për rajonin e Ballkanit, por edhe për rajone të tjera të ndjeshme të botës.

Zëri i Amerikës: Aspekti i sigurisë në Kosovë ka qënë një çështje shqetësuese. Shqiptarët e Kosovës janë në pritje të një vendimi përfundimtar mbi statusin për një kohë shumë më të gjatë sesa iu premtua fillimisht. Ndërkohë, janë bërë deklarata se status-kuoja krijon pasiguri dhe pastabilitet, prandaj është edhe e domosdoshme zgjidhja e statusit të Kosovës. Cili është komenti juaj.

Obrad Kesiç: Kjo është e vërtetë, por kemi të bëjmë me një situatë, ku duhet zgjedhur mes dy alternativave negative; njëra që krijon paqëndrueshmëri, megjithëse gjendja është mbajtur nën kontroll; tjetra është krijimi i një situate krejt të re, që askush nuk mund të parashikojë pasojat për rajonin dhe gjithë botën dhe rajoni më i afërt është Republika Serbe e Bosnjes. Parimi, për mendimin tim, duhet të jetë që marrja e një vendimi ndihmon dhe nuk dëmton situatën aktuale. Unë vetë nuk jam i bindur se status-kuoja krijon më shumë pasiguri dhe paqëndrueshmëri se sa marrja e një vendimi dhe mendoj se ky duhet të jetë faktori përcaktues në marrjen e vendimit për të njohur apo jo pavarësinë e Kosovës. //ii

XS
SM
MD
LG