Lidhje

BE: Asnjë vend, veç Kroacisë, s'do t'i arrijë dot objektivat deri në 2010


Bashkimi Europian publikoi dje raportin e tij vjetor për zgjerimin, ku vlerëson ecurinë e shtatë vendeve kandidate drejt anëtarësimit në bllokun prej 27 vendesh. Bashkimi Europian arrin në përfundimin se asnjë vend, ndoshta me përjashtim të Kroacisë, nuk besohet se mund t’i arrijë objektivat e anëtarësimit për këtë dekadë.

Bashkimi Europian e vlerëson lart Kroacinë si shembull për vendet e tjera ballkanike që tregon se si duhen bërë përgatitjet e anëtarësimit. Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Olli Rehn thotë se roli i saj është me rëndësi. "Kroacia po bëhet sa vjen e më shumë një standard pozitiv për vendet e tjerë të Ballkanit Perëndimor duke i demonstruar me progresin e saj krejt rajonit se perspektiva europiane është diçka reale dhe e prekshme, se kjo është e arritëshme."

Megjithë rezervat, zoti Rehn ka vendosur të siglojë Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Pranimit me Serbinë, një hap i parë ky në rrugën e anëtarësimit.

Zoti Rehn e quajti këtë një pikë reale kthese për Serbinë. "Pas një nate të gjatë nacionaliste në vitet 90, një agim demokratik lindi në vitin 2000 ndërsa tani një agim i ri europian është duke u hapur për Serbinë”, tha ai.

Vetëm një vit më parë, bisedimet e Bashkimit Europian me Serbinë u pezulluan për shkak të dështimit të Beogradit për të arrestuar dhe ekstraduar në Hagë kriminelët e luftës. Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte, akuzoi Serbinë se po e pengonte punën për nxjerrjen para drejtësisë të personave të akuzuar për krime gjatë konfliktit në Ballkan.

Zoti Rehn tha se tani kryeprokurorja del Ponte i ka dhënë Beogradit një notë më të mirë pasi ky transferoi në Hagë 20 nga 24 persona të akuzuar dhe i ka dorëzuar gjykatës informacionet përkatëse.

Por ai tha se Bashkimi Europian pret që Serbia të vazhdojë bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës dhe të shpejtojë ritmin e reformave. Megjithëse nënvizoi se çështja e pavarësisë së Kosovës nuk lidhet me anëtarësimin e Serbisë, zoti Rehn e bëri të qartë se Bashkimi Europian shpreson se Serbia nuk do ta destabilizojë rajonin lidhur me statusin e Kosovës.

Në raportin për Turqinë theksohet se mes përmirësimeve që pret Bashkimi Europian janë të drejta dhe liri më të mëdha fetare dhe të shprehjes. Aty thuhet gjithashtu se Ankaraja duhet të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Qipron.

Zoti Rehn tha se Bashkimi Europian është veçanërisht i shqetësuar për Nenin 301 të Kodit Penal të Turqisë, i cili e quan krim fyerjen ndaj qeverisë ose ndaj identitetit turk."Nuk është aspak e pranueshme në një demokraci europiane që shkrimtarët, gazetarët ose një qytetar të ndiqen penalisht thjesht sepse shprehin një opinion kritik por krejtësisht të padhunshëm,” tha zoti Rehn.

Lidhur me vendet e tjera kandidate, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, në raportin e Bashkimit Europian thuhet se ato duhet të shkallëzojnë reformat për të ndërtuar “demokraci moderne” dhe për të zhvilluar një kulturë të dialogut politik. //ii

XS
SM
MD
LG