Lidhje

Në Hagë fillon gjyqi ndaj Vojisllav Sheshelit


Në Hagë u hap gjyqi i udhëheqësit nacionalist serb, Vojislav Sheshel. Ndaj tij janë ngritur 9 akuza, përfshirë akuza për vrasje, persekutim, akte çnjerëzore dhe shkatërrim të qëllimshëm të pronës. Prokurorët thonë se ai ka rekurutuar gjithashtu grupe paraushtarake serbe duke përdorur fjalime që nxisnin urrejtjen dhe spastrimin etnik të Serbisë.

Ultranacionalisti serb, Vojislav Sheshel tregoi pak emocione dhe herë pas here buzëqeshte kur prokurorja Kristine Dahl e akuzoi ish bashkëpunëtorin e ngushtë të Sllobodan Millosheviçit për fjalimet e tij me thirrjet për krijimin e “Serbisë së Madhe”.

"Versioni i nacionalizmit të tij luftënxitës dhe thirrjet e tij publike për kërcënime dhe dhunë i bënë njerëzit të mendonin se ato ishin të nevojshme për të arritur qëllimet. Pa aftësinë dhe vendosmërinë e Sheshelit për të ushqyer mendjet e serbëve me vizionin e tij të realitetit, nuk do të kishte patur mjete dhe persona të armatosur për të vënë në jetë qëllimiet e dhunshme të udhëheqjes politike dhe ushtarake serbe për krijimin e “Serbisë së Madhe”. Me qëllim që të krijonin Serbinë e Madhe, tha prokurorja Dahl, Vojislav Shesheli dhe udhëheqja serbe, përfshirë Millosheviçin, duhet të spastronte etnikisht rajone të mëdha në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë nga popullata jo-serbe në vitet 90-të."

Shesheli i hodhi poshtë akuzar për vrasjen, torturimin dhe persekutimin e kroatëve, myslimanëve dhe pakicave të tjera jo-serbe gjatë luftrave në Bosnje dhe Kroaci. Duke u vetëmbrojtur, Shesheli tha se nuk mohonte që kishte mbajtur fjalime nacionaliste, por këmbënguli se ato nuk përbënin krime lufte.

Ai tha në një sesion para gjyqit se po gjykohet për krime të tmerrshme lufte që akuzohet se kishte kryer vetëm se kishte mbajtur fjalime të mbushura me urrejtje ndërkohë që predikonte ideologjinë e tij nacionaliste.

Prokurorja Dahl tha se luftërat në Ballkan u kryen fillimisht me fjalë, gjë që Sheshli e bëri me mjeshtëri. Ajo e portretizoi atë si ambasador të fjalës së urrejtjes, një individ të famshëm luftënxitës në një rreth urrejtjeje. Ajo tha se gjatë gjyqit, prokurorët do t’i zbërthejnë fjalimet e tij, si ai që ai kishte mbajtur në vitet e para të luftës e që u luajt në gjyq. Ja si u shprej zonja Dahl përmes përkthyesit

Dahl thotë se gjuha ekstreme e Sheshelit ishte kriminale dhe se ajo nxiste drejt për drejt njerëzit të kryenin veprime dhune si në vende të tilla si Vukovari në Kroaci dhe Zvornik në Bosnje. Ajo u bë shkak që myslimanët dhe kroatët të largoheshin nga shtëpitë e tyre për të shpëtuar.

Prokurorët thonë se si komandant i njësive paramilitare, Shesheli formoi ushtrinë e vet të vullnetarëve, të cilët i indoktrinoi dhe pastaj i dërgoi në vijën e frontit për të kryer krime të papërshkrueshme.

Gjyqi i Sheshelit filloi një vit më parë, por u pezullua pothuajse menjëherë kur ai u hodh në grevë urie për 28 ditë, për të realizuar kërkesat e tij, përfshirë edhe kërkesën për t’u vetmbrojtur.

Ai tha se nuk ishte e mundur që të gjykohej drejt në Hagë dhe se do të godiste Vatikanin dhe vendet perëndimore gjatë mbrojtjes së tij politike. Ai do të ketë rastin të mbrohet nesër, kur të flasë para gjykatës.//lk

XS
SM
MD
LG