Lidhje

Duma ruse pezullon Traktatin e Forcave Konvencionale në Evropë


Dhoma e Ulët e Parlamentit në Rusi votoi njëzëri për të ndërprerë pjesëmarrjen në Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë, që konsiderohet të jetë një element i rëndësishëm i sigurisë evropiane.

Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, Duma votoi me 418 pro dhe asnjë kundër për të ndërprerë pjesëmarrjen në Traktatin e Forcave Konvencionale në Evropë. Vendimi unanim konfirmon një plan për këtë tërheqje të njoftuar në muajin korrik nga presidenti Vladimir Putin, në përgjigje të një propozimi amerikan për të ndërtuar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Evropën Qendrore.

Uashingtoni thotë se sistemi është ndërtuar për t’u mbrojtur nga Irani, por Moska e sheh atë si një kërcënim për sigurinë e Rusisë. Traktati u miratuar në vitin 1990 nga Nato-ja dhe Bashkimi Sovjetik për të vendosur kufizime mbi numrin e armëve konvencionale si tanket dhe avionët luftarakë.

Por shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e ndryshoi ekuacionin ushtarak të Evropës dhe Rusia kërkon tani që traktati të ndryshojë për t’iu përgjigjur nevojave të reja të sigurimit. Megjithatë, vendet e Nato-s thonë se Rusia duhet të përmbushë së pari detyrimet e saj të bëra në takimin e nivelit të lartë të Stambollit në vitin 1999 të Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë për të tërhequr forcat e saj ushtarake nga ish republikat sovjetike të Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

Rusia tha se trupat e saj po shërbejnë si paqeruajtës në këto dy vende. Në fjalimin e tij drejtuar deputetëve, Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Sergei Kisliak përmendi vendet balltike si një shqetësim tjetër për Rusinë.

"Futja e vendeve balltike në Nato, - tha zoti Kisliak, - ka nxjerrë në pah një çështje të paqartë në kufijtë tanë. Problemi është se pas largimit nga Bashkimi Sovjetik, shtetet balltike nuk janë të mbuluara nga ndonjë protokoll për kontrollin e armëve.

Zyrtarët rusë thanë se vendimi i Dumës mund të kthehet mbrapsht, në se vendet e Natos ratifikojnë një version të ndryshuar të traktatit. Disa vende perendimore janë të shqetësuara se tërheqja ruse nga traktati mund të rrisë tensionet dhe të çojë në një garë të re armatimesh.

Por një analist ushtarak në Moskë, Pavel Felgenhauer, thotë se gara e armatimeve ka pak të ngjarë të ndodhë, pasi sipas tij, industritë ruse të ushtrisë nuk janë në gjendje të prodhojnë sasi të mëdha armësh. Zoti Felgenhauer është i shqetësuar se largimi i Rusisë nga traktati do të ëojë në minimin e transparencës.

Analisti tha se inspektimet, paralajmërimet e hershme, njoftimet dhe çdo gjë që i shërben transparencës që nga Oqeani Atlantik e deri në Malet Urale, nuk do të ekzistojnë më.

Votimi nga Duma për të ndërprerë pjesëmarrjen në Traktatin për Forcat Konvencionale në Evropë duhet të miratohet nga Dhoma e Lartë e Parlamentit rus dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Putin. Largimi nga traktati është planifikuar të fillojë më datën 12 dhjetor, por presidentit Putin i është dhënë në të njëjtën kohë autoriteti për ta ndryshuar vendimin.//lk

XS
SM
MD
LG