Lidhje

Mushrraf: Zgjedhjet do të zhvillohen pas 15 shkurtit


Presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf thotë se zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen para datës 15 shkurt, një muaj më pas se ç’ishte parashikuar para vendjosjes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kanë bërë disa herë thirrje zotit Musharaf të zhvillojë zgjedhje dhe të heqë dorë nga posti i komandantit ushtarak, që nga dita e shtunë kur ai pezulloi kushtetutën dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

Pas takimit me Këshillin Kombëtar pakistanez të Sigurimit, Presidenti Musharaf tha sot në një konferencë për shtyp se do të japë dorëheqjen nga posti i komandantit të përgjithshëm sapo Gjykata e Lartë të konfirmojë fitoren e tij në zgjedhjet e muajit të kaluar.

Më pas, Shtëpia e Bardhë vlerësoi hapat e zotit Musharaf në drejtim të sqarimit të afatit për zgjedhje. Por udhëheqësja e opozitës pakistaneze dhe ish-kryeministre e vendit Benazir Bhutto e kritikoi planin e Gjeneralit Musharaf për zgjedhjet, duke e cilësuar si të mjegullt.

Ajo u zotua t’u përmbahet planeve për një tubim në Rawalpindi të premten, kundër shpalljes së gjendjes së emergjencës. Një zëdhënëse e partisë së zonjës Buto tha se policia ka arrestuar mbi 1 mijë aktivistë të partisë që të mërkurën.

Ndërkaq, protestat kundër gjendjes së jashtëzakonshme vazhduan në disa qytete. Në qytetin veri-perëndimor të Peshawarit policia përdori shkopinjtë e gomës për të rrahur protestuesit dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Qindra juristë në kryeqytetin e vendit, Islamabad, u ndeshën me forcat e rendit.//lk

XS
SM
MD
LG