Lidhje

Bisedimet mes presidentëve Bush dhe Sarkozi hapin një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe


Presidenti Bush dhe homologu i tij francez, Nikola Sarkozi u angazhuan të bashkëpunojnë për një numër çështjesh ndërkombëtare, një shenjë zbutjeje në marrëdhëniet amerikano-franceze.

Dy udhëheqësit u takuan dje pranë Uashingtonit, në Mount Vernon, ku është shtëpia e presidentit të parë amerikan George Uashington.

Duke folur para gazetarëve pas bisedimeve, udhëheqësit thanë se kishin rënë dakord për çështje të tilla si masat për të mos lejuar Iranin të zhvillojë armë bërthamore, mbrojtja e të drejtave të njeriut në Birmani, Sudan dhe Kubë. Presidenti Bush e vlerësoi rolin udhëheqës të Francës lidhur me Afganistanin dhe Kosovën. Presidenti Bush e quajti zotin Sarkozy partnerin e tij për paqen. Zoti Bush shprehu gjithashtu vlerësimin për vullnetin e zotit Sarkozi për të luftuar ata që presidenti amerikan i cilësoi ekstremistë dhe radikalë.

Po të mërkurën Presidenti francez Nikola Sarkozi mbajti një fjalim para Kongresit amerikan që u prit me ovacione. Ai tha se vendi i tij do të qëndrojë përkrah Uashingtonit në luftën kundër terrorizmit në Afganistan dhe për çështjen bërthamore të Iranit.

Të dy udhëheqësit thonë se Irani zuri një pjesë të mirë të bisedimeve të tyre në Mount Vernon. Presidenti Bush e falenderoi homologun francez për vendosmërinë e tij për zgjidhjen me rrugë paqësore të mosmarrëveshjes bërthamore.

“Ideja që Irani mund të ketë në dorë një armë bërthamore është e rrezikshme. Kështuqë tani ka ardhur koha që të punojmë së bashku për ta zgjidhur këtë problem me mjete diplomatike”.

Irani thotë se nuk po prodhon armë bërthamore fshehtas. Qeveria e Teheranit thotë se po pasuron uranium vetëm për qëllime paqësore civile për prodhimin e energjisë elektrike.

Ndërsa Rusia dhe Kina ende nuk po binden për sanskione më të forta të Kombeve të Bashkuara, Franca së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë po bën thirrje për veprime më të ashpra të Këshillit të Sigurimit kundër Iranit.

Presidenti Sarkozy thotë se masat më të ashpra duhet të shoqërohen me atë që ai e quan dorën e zgjatur të dialogut, sepse siç thotë ai Irani nuk e meriton të jetë i izoluar.

“Është e papranueshme që Irani të ketë armë bërthamore, por Irani ka të drejtën që të përfitojë nga energjia e së ardhmes, ajo civile bërthamore. Unë besoj në efektivitetin e sanksioneve, madje edhe tek nevoja e sanksioneve më të ashpra”.

Presidenti Sarkozy thotë se dialogu me Teheranin duhet të qëndrojë i hapur për të shmangur atë që ai e quan skenarin më të keq. Presidenti Bush tha dje në Mount Vernon se ende ka shpresa për një zgjidhje paqësore.

“Mendoj se është e rëndësishme që t’i dërgojmë sinjale të qarta qeverisë iraniane se bota e lirë i kupton rreziqet e sigurimit të armëve bërthamore nga ana e Iranit. Kështuqë do të punojmë së bashku që të përpiqemi të gjejmë nëse ka njerëz të arsyeshëm brenda qeverisë iraniane që janë të lodhur nga izolimi dhe që besojnë se ka një rrugë më të mirë përpara”.

Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad tha dje se vendi u tij ka arritur një objektiv të rëndësishëm bërthamor duke i bërë funksionale 3 mijë çentrifuga. Ekspertët bërthamorë thonë se 3 mijë çentrifuga po të punojnë në kushte ideale mund të pasurojnë një sasi uraniumi të mjaftueshme për të prodhuar një bombë atomike për rreth një vit.//kk//

XS
SM
MD
LG