Lidhje

Barazia mes burrit dhe gruas mbetet ende utopi


Sipas një raporti të ri barazia mes burrave dhe grave vazhdon të jetë një synim i largët në shumë vende të botës. Katër vende nordike radhiten të parat në një indeks për hendekun mes gjinive, hartuar nga Forumi Botëror i Ekonomisë, që këtë vit radhiti 128 vende në bazë të arritjeve të tyre për të ngushtuar hendekun mes sekseve.

Raporti e bën renditjen në bazë të disa kritereve, përfshirë pagën e barabartë dhe shanset për punësim. Faktorë të tjerë ishin përfaqësimi i gruas në organizmat vendim-marrëse, shanset e barabarta për arsimim dhe kujdesi shëndetësor riprodhues. Në të gjitha këto drejtime, sipas raportit, gratë kanë pozitë më të mirë në Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Po ashtu në raport thueht se 20 vendet që radhiten të parat kanë shënuar përparim në krahasim me vitin e kaluar, veçanërisht Letonia dhe Lituania, respektivisht në vendin e 13-të dhe 14-të. Shqipëria radhitet në vendin e 66-të.

12 vende evropiane, janë mes 20 të parave. Po ashtu edhe Filipinet, që radhiten në vendin e gjashtë dhe të parat mes vendeve aziatike, si edhe Afrika e Jugut që zuri vendin e 20-të.

Saadia Zahidi është drejtuese e Programit për Gratë Udhëheqëse në Forumin Botëror të Ekonomisë. Ajo thotë se Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 31-të në indeksin për hendekun mes burrave dhe grave, kryesisht pasi rezultati për pjesëmarrjen e grave në politikë është më i ulët sesa mesatarja botërore. Ajo thotë se asnjë vend nuk ka arritur barazinë mes burrit dhe gruas.

“Por ka shumë ndryshime mes vendeve në mënyrën sesi shfaqen këto pabarazi. Dhe pikërisht këtë element përpiqet të pasqyrojë indeksi global për gjinitë i Forumit Botëror për Ekonominë. Kjo për dy arsye: E para pa dyshim që ka të bëjë me sfidën e të drejtave të njeriut dhe e dyta me atë ekonomike. Vendet që nuk po përfitojnë nga gjysma e talentit që kanë në dispozicion, do të minojnë në potencialin e tyre të konkurrencës”.

Në gjysmën e dytë të listës, janë radhitur vende si Tunizia, Turqia dhe Maroku që jo vetëm janë nga fundi, por edhe kanë shënuar rënie nga rezultatet e veta vitin e kaluar.

Nga ana tjetër, Koreja, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite që radhitet e 124-ta kanë shënuar përparim në krahasim me vitin e kaluar.

Zonja Zahidi i tha Zërit të Amerikës se ka disa raste për t’u marrë shembull në Afrikën nënsahariane.

“Afrika e Jugut është vendi që është radhitur më lart në gjithë Afrikën nënsahariane. Edhe në Afrikën e Veriut ka disa shembuj. Por meqenëse indeksi është ndërtuar në rajone veç e veç, ajo që na u duk më interesante ishte se brenda çdo rajoni, ka shembuj vendesh që po bëjnë shumë përparim për mbylljen e hendekut dhe vende që kanë mbetur shumë mbrapa. Dhe ne shpresojmë që me punën tonë të krijohen mundësi që të mësohet nga vende ku ka patur sukses, si edhe mundësinë për shkëmbim praktik mes udhëheqësve në një rajon të veçantë dhe vendeve që kanë mbetur prapa”.

Sipas raportit Lesotho, Namibia, Tanzania, Mozambiku, Uganda, Botsvana dhe Gana janë brenda gjysmës së parë të 128 vendeve në listë. Çadi është i parafundit, i pasuar nga Jemeni.

Raporti thotë se në shkallë globale, është arritur përparim në ngushtimin e hendekut arsimor, politik dhe ekonomik mes burrave dhe grave. Por në drejtim të shëndetit, hendeku është zgjeruar. //kk//

XS
SM
MD
LG