Lidhje

SHBA: Si mund t'i jepet një kuptim i ri termit “pensionist”


Shtetet e Bashkuara njihen në botë për kulturën e tyre të fiksuar pas rinisë, por faktikisht ky vend ka një përqindje të lartë të popullsisë në moshë të madhe, amerikanë të lindur pas Luftës së Dytë Botërore. Ata llogariten në rreth 80 milionë vetë dhe tani që shumë prej tyre po dalin në pension, ata kanë filluar t’i japin një kuptim të ri termit “pensionist.” Shumë prej tyre preferojnë të jetojnë në shtëpitë e tyre, gjë që është pasuar me krijimin e programeve të reja për të ndihmuar këta të moshuar:

Mike dhe Judy Canning kanë dalë në pension, pas dekadash të tëra pune qeveritare dhe pasi rritën fëmijët. Mike shpreson se së bashku me të shoqen do të kenë shumë vite të mira përpara: "Kur arrin në një farë moshe, si unë që kam mbushur 66 vjeç, ashtu si shumë të tjerë si ne, duhet të mendosh për shumë gjëra: të ardhmen, vdekjen. Na pëlqen shumë kjo shtëpi. Kemi jetuar këtu prej vitesh dhe nuk duam të largohemi". Disa amerikanë të moshuar zgjedhin të jetojnë në komunitete ku pranohen vetëm pensionistë ose persona mbi 55 vjeç. Ata blejnë banesa në këto komunitete ku mund të gjejnë aktivitete të shumta zbavitëse.

Zyra Amerikane për Regjistrimin e Popullsisë përllogarit se brenda 20 vjetësh 1 ndër 5 amerikanë do të jetë mbi moshën 64 vjeç. William Daroff punon për shoqatën Komunitetet e Bashkuara Hebraike: "Një numër gjithnjë e më i madh prej nesh po ndeshemi me nevojën për të zgjidhur problemin e pensionit tonë, atë të prindërve dhe gjyshërve tanë. Pra shoqëria jonë duhet ta shqyrtojë seriozisht këtë çështje pasi ka shumë veta që po hyjnë në moshën e pleqërisë".

Tradicionalisht, destinacioni i të moshuarve kanë qenë komunitetet dhe shtëpitë për të moshuarit. Por një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh si familja Canning ka dëshirë të pleqërohen në shtëpinë ku kanë jetuar. "Synojmë të jetojmë në shtëpinë tonë, ku e njohim komunitetin, fqinjët dhe ku kemi rritur fëmijët".

Kjo prirje njihet me emrin pleqërimi në vend. Por çifti Canning e ka të qartë që jetesa në atë shtëpi kërkon një farë ndihme. Prandaj ata i janë bashkuar një grupi të quajtur Fshati i Kapitolit, një organizatë me pagesë për antarësim, që përqëndrohet në ndihmën për të moshuarit.

Drejtoresha e grupit, Gail Kohn, organizon vullnetarë për të ndihmuar anëtarët dhe nëse ata kanë nevoja shtesë, ajo ka një listë kontaktesh për kompani të specializuara: "Kemi në listë një shitës që ofron shërbime dhe ai kontakton anëtarët e grupit". Zonja Kohn bashkërendon vullnetarët, gjen elektriçistë, hidraulikë dhe punëtorë të tjerë të besueshëm për të ndihmuar të moshuarit.

Gail Kohn i ndihmojmë që çdo gjë të funksionojë si duhet dhe të jetojnë sa më rehat. Në disa raste kjo kërkon thjesht meremetime të shtëpisë. Mike Canning thotë se për momentin nuk ka nevojë për ndihmë, por shton se që tani ka filluar të mendojë se si mund ta ndihmojë organizata Fshati i Kapitolit në të ardhmen: "Mund të jetë diçka e thjeshtë si për shembull pastrimi i ulluqeve të shtëpisë, apo korrja e barit ose kujdesje për kopshtin". Fshati i Kapitolit është një shembull i programeve novatore që synojnë të përmbushin nevojat e të moshuarve që duan të jetojnë në komunitetet dhe banesat ku kanë jetuar edhe më parë.

Agjencia Amerikane për Regjistrimin e Popullsisë parashikon se gjatë 40 vjetëve të ardhshëm numri i personave mbi 65 vjeç do të dy-fishohet, si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në botë. Kjo shifër nënkupton afro 1 miliardë vetë që pritet që, në një formë apo tjetër, të kenë nevojë për ndihmë. //rd//

XS
SM
MD
LG