Lidhje

Portret i kandidatit republikan Fred Tompson


Pasi për disa muaj, ai mati pulsin, siç u shpreh edhe vetë, ish senatori amerikan dhe aktori Fred Thompson hyri më në fund në garën presidenciale javën e parë të shtatorit. Disa kritikë thonë se ai priti shumë gjatë ndërkohë që tetë kandidatët e tjerë që kërkojnë emërimin e partisë republikane kanë bërë fushatë në shtetet kryesore për zgjedhjet paraprake. Por përkrahësit e zotit Thompson besojnë se ai mund të entuziazmojë votuesit republikanë që sipas anketave nuk janë shumë entuziastë rreth kandidatëve të tjerë.

Si një aktor veteran, Fred Dalton Thompson e di mirë si ta bëjë prezantimin e parë. "Jemi aty ku duhet tani, dhe kjo është një prej gjërave që dua të bisedoj me ju – do të vë kandidaturën për President të Shteteve të Bashkuara". Ai zgjodhi ta njoftojë kandidaturën e tij me një stil të Hollivudit në emisionin The Tonight Show with Jay Leno, një shfaqje mjaft popullore në orët e mbrëmjes.

Skena theksoi atë për të cilën shumë nga rivalët e tij shqetësohen më tepër – fuqinë e yllit që ka zoti Thompson. Të nesërmen 65 vjeçari u tha votuesve në shtetin Ajova arsyen përse vendosi të hyjë në garë. "Jam i vendosur që të marrim vendime që na bëjnë një vend më të fuqishëm, një vend më të begatë dhe më të bashkuar dhe është kjo arsyeja përse po kandidoj për president të Shteteve të Bashkuara".

Ish senatori dhe avokati nga shteti Tenesi e bëri me lehtësi kalimin nga kongresi përsëri në karrierën e skenës në vitin 2002 kur iu bashkua serialit kriminalistik të rrjetit NBC “ Law and Order”. Edhe përpara se të hynte zyrtarisht në garë, anketat tregonin se zoti Thompson gëzonte mbështetje më të madhe ndaj rivalëve të tij, me përjashtim të ish kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani.

Disa ekspertë politikë po shtrojnë pyetjen nëse Fred Thompsoni do ta shpëtojë Partinë Republikane, duke theksuar pakënaqësinë me kandidatët e tjerë. John Fortier është ekspert për politikat presidenciale. "Veçanërisht kur Rudy Giuliani dhe John McCain ishin në krye, republikanët po kërkonin për dikë tjetër – për një kandidatë më konservator. Ata shpesonin të kthehej Ronald Reagani, gjë që ishte e pamundur, por panë Fred Thompson si një figurë të mundëshme të përafërt me të". Edhe të tjerë e kanë krahasuar zotin Thompson me presidentin e ndjerë Reagan. Profesor Larry Sabato drejton Qendrën për Politikat në Universitetin e Virxhinias. "Zoti Thompson ka gjithashtu cilësinë reganiane për shkak të lidhjes së tij me Hollivudin. Republikanët gjithmonë mundohen të gjejnë një kandidat si Ronald Reagan, ashtu si demokratët përpiqen gjithmonë të gjejnë një kandidat si John Kennedy".

Dialekti jugor i zotit Thompson dhe votimet e tij konservatore i përshkaten bazës së rëndësishme të votuesve konservatorë të partisë republikane. Ai është për të drejtën e armëmbajtjes dhe kundër abortit dhe e ka bërë të qartë se kërkon që Shtetet e Bashkuara të bëjnë ç’është e mundur për të fituar në Irak.

Por disa ekspertë nxjerrin në pah edhe të metat e tij. Pati ndryshime të personelit të tij edhe para se të bënte njoftimin, disa për shkak të përplasjeve me gruan e tij Jeri, një këshilltare politike. Deri tani zoti Thompson ka patur pak sukses për të grumbulluar para dhe shumë njerëz që ndjekin fushatat, mes tyre edhe Profesor Larry Sabato, thonë se ai jo gjithmonë kapërdin egërsinë e jetës politike. "Megjithë respektin që kam për senatorin Thompson, ai nuk njihet si politikani më energjik që kemi parë. Edhe disa ish anëtarë të personelit të tij thonë se ishte dembel kur shërbente në senat". Tani që zoti Thompson është në qendër të jetës politike, i takon atij të bëjë interpretimin e tij më të mirë dhe të përpiqet të fitojë emërimin e Partisë Republikane si dhe rolin e vërtetë në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG