Lidhje

Kusari: Programet e partive për ekonominë nuk përputhen me nevojat e Kosovës


Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur në thelbin e fushatave të partive politike ishte statusi i Kosovës, kësaj radhe ato janë përqendruar më shumë në zhvillim ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies sociale.

Në programet e tyre parashihen vende të reja pune, zbutje e shkallës së lartë të varfërisë dhe mjedis më i përshtatshëm për investime. Por sa janë të zbatueshme zotimet e tilla?

Mimoza Kusari Lila, Drejtoreshë Ekzekutive e Odës Ekonomike Amerikane thotë se boshti i programeve të partive politike është zhvillimi ekonomik, por zotimet nuk janë shumë në pajtim me gjendjen reale në Kosovë…

“Kisha dashur të jem më entuziaste për atë se çfarë janë duke prezantuar partitë politike kosovare, megjithatë, më tepër më duket se është duke u luajtur me një folk-patriotik në kuptimin e ngritjes së shpresave të popullatës së varfër për një mirëqenie të menjëhershme”, - thotë drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike Amerikane.

Zonja Kusari Lila tërheq vërejtjen në gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë që, siç thotë ajo, janë rezultat i veprimeve të përbashkëta të institucioneve vendase e ndërkombëtarë në tetë vitet e kaluara. Kosova është në gjendjen më të varfër deri tash dhe të premtohet se çdo gjë do të ndryshojë brenda një viti është zotim i pa qëndrueshëm, thotë ajo.

Ajo ve një paralele ndërmjet zotimeve të partive që aktualisht janë në pushtet dhe atyre që synojnë të marrin pushtetin...

“Grupi i parë i partive politike po jep një pasqyrë e cila nuk përkon me realitetin kosovar, d.m.th tregojnë për sukseset që ne nuk i shohim. Ndërsa, grupi i partive që synojnë të hynë në qeveri japin shpresa edhe më të mëdha duke dhënë premtime që në aspektin ekonomik zbehin vetë ngritjen e personalitetit të qytetarët duke premtuar dhuruarat të ndryshme të cilat nuk kanë të bëjnë fare me politikë bërje, ato më tepër kanë të bëjnë me fushatë bamirësie", - thotë zonja Kusari Lila e cila thekson se Kosovës i nevojitet përballja me problemet reale që rëndojnë ekonominë e Kosovës dhe ndarja e përgjegjësive.

Shumë nga zotimet e partive politike tejkalojnë për disa herë buxhetin e Kosovës i cili për vitin e ardhshëm është parapara të jetë diç mbi një miliardë euro, ende shumë i vogël për të përmbushur nevojat e një vendi me një shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe të varfërisë.//lk

XS
SM
MD
LG