Lidhje

Zgjedhjet 2008: Anketimet përcaktojnë temat e fushatës presidenciale


Çdo kandidat për president përdor të dhënat e sondazheve për të drejtuar fushatën e tij për Shtëpinë e Bardhë. Në këtë pjesë të serisë mbi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara do t’ju njohim me rolin e anketave dhe të anketuesve në strategjitë e fushatave.

Kush e kryeson garën për në Shtëpinë e Bardhë? Cilat janë çështjet kryesore që u interesojnë votuesve? Kandidatët dhe partitë e tyre politike i gjejnë përgjigjet e këtyre pyetjeve në anketat e opinionit.

Fushatat politike i shfrytëzojnë sondazhet për të marrë vendime me rëndësi për strategjinë e tyre, duke përfshirë vendet ku duhet të shkojnë kandidatët deri tek çështjet për të cilat duhet të flasin për të tërhequr votues. Organizata Gallup ka kryer sondazhe që në vitet 30-të. Zyrtari i saj Frank Njuport thotë se këto sondazhe shërbejnë si plan veprimi.

"Sot kandidatët ose partitë politike i përdorin sondazhet për të përcaktuar strategjinë e fushatës së tyre. Shpesh ata shikojnë se cilat janë çështjet që duhet të theksojnë dhe cilat duhet të shërbejnë si temat e fushatës. Kandidatët dhe partitë i përdorin të dhënat e sondazheve si norma referimi gjatë fushatës për të parë se ku qendrojnë në opinionin publik".

Anketat, ashtu si dhe planet duhet të jenë të sakta. Pyetjet duhet të përpilohen me kujdes dhe pjesëmarrësit duhet të zgjidhen në bazë të formulave dhe parimeve të provuara më parë. Michelle van Gilder i organizatës Zogby International shpjegon:

"Gjithëçka bëhet nëpërmjet ekuacioneve matematike dhe ligjeve të probabilitetit. Mund të konsiderosh një grup prej 1000 vetësh që disa e konsiderojnë të vogël për një vend prej 300 milionë banorësh siç janë Shtetet e Bashkuara. Por me këtë grup prej 1000 vetësh që përdoret zakonisht nga anketuesit, mund të arrihen rezultate mjaft të sakta”.

Organizatat e mëdha të anketimeve në Shtetet e Bashkuara si Zogby dhe Gallup kanë qendra telefonike anketimi për të kontaktuar me njerëzit që zgjidhen për të marrë pjesë në grupin përfaqësues. Vetëm një pjesë e vogël e anketimit bëhet duke takuar njerëzit ose në Internet.

Nëpërmjet pyetjeve, anketuesit mësojnë për qendrimet e kandidatëve për çështje të ndryshme që u interesojnë votuesve. Anketat u japin gjithashtu partive politike të dhëna krahasuese si për shembull si i shikojnë votuesit republikanët dhe demokratët në një periudhë të caktuar kohe.

Por Frank Newport i organizatës Gallup thotë se kandidatët mund t’i keqinterpretojnë të dhënat dhe kështu rrezikojnë që humbasin një pjesë të mbështetjes së votuesve.

"Disa njerëz i kritikojnë kandidatët në qoftë se ata e ndryshojnë ndjeshëm qendrimin e tyre, duke u nisur nga rezultatet e anketave, thjesht për të kënaqur publikun. Prandaj kandidatët duhet të jenë në kujdesshëm kur ndryshojnë qendrimet”.

Në peridhën që ka mbetur deri ditën e zgjedhjeve, do të bëhen edhe shumë anketa të tjera, që do të sjellin analiza të pafundme nga të dy fushatat dhe ata që i ndjekin zhvillimet politike. Por më në fund, ajo që ka rëndësi është vetë dita e votimeve.//lk

XS
SM
MD
LG