Lidhje

Shqipëri: Inflacioni dhe kriza energjitike, shqetesime të FMN-së


Në Shqipëri inflacioni i lartë mbi objektivin e përcaktuar dhe kriza energjitike ishin dy shqetësimet kryesore të shprehura nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili qëndroi në Tiranë për dy javë.

Kreu i misionit të Fondit Monetar Gewin Bell deklaroi sot se perspektiva e zhvillimit vazhdon të jetë pozitive, por nëse dëshirohet të mbahet i njëjti ritëm i progresit të bërë duhet të zgjidhen urgjentisht dhe me çdo kusht sfidat serioze makroekonomike.

Veçanërisht përkeqësimi i situatës financiare të Korporatës Energjitike duhet të ndryshojë drejtim tha ai, duke saktësuar në të njejtën kohë se edhe shpenzimet kapitale publike duhet të kufizohen për të mënjanuar presionet inflacioniste.

Për tre muaj me radhë inflacioni është regjistruar mbi nivelet e 4 përqind, objektivi maksimal i përcaktuar. Guvernatori i Bankës Ardian Fullani tha sot se bazuar në disa zhvillime aktuale vlerësohet se ecuria e çmimeve të konsumit për 12 muajt në vijim mund të vazhdojë të luhatet rreth këtyre vlerave. Një parashikim i bërë edhe nga përfaqësuesit e Fondit.

Ajo që shqetëson Fondin Monetar lidhur me inflacionin ka të bëjë edhe me financimet për projekte të mëdha të parashikuara për vitin e ardhshëm të cilat sipas drejtuesit të misionit Bell, mund të shtojnë presionet nga ana e kërkesës dhe rreziqet fiskale. Por Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se qeveria do të rrisë vëmendjen për të bllokuar çdo presion inflacionist apo presion tjetër që mund të prekë stabilitetin makroekonomik. Buxheti, shtoi ai, asnjëherë nuk ka qenë presion inflacioni por burim stabiliteti. Megjithatë është rënë dakort që me rishikimin e buxhetit në mesin e vitit të ardhshëm të ndërmerren të gjitha masat nëse identifikohet se mund të vijnë presione inflacioniste nga ritmika e kryerjes së shpenzimeve publike. //rd//

XS
SM
MD
LG