Lidhje

Ivanoviç: Shpallja e pavarësisë mund të sjellë veprime të ngjashme të serbëve të Kosovës


Më 17 nëntor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato për pushtetin komunal, të cilat vlerësohen të rëndësishme edhe për shkak të periudhës politike në të cilën zhvillohen, kur Kosova është në prag të përmbylljes së procesit për zgjidhjen e statusit të saj politikë. Por, në këto zgjedhje nuk do të marrin pjesë partitë kryesore politike të serbëve të Kosovës. Në një intervistë për programin tonë, drejtuesi i Listës serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, shpjegon arsyet e vendimit për të mos marrë pjesë në këto votime. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Ivanovic, tërheq vërejtjen se shpallja e pavarësisë së Kosovës në mënyrë të njëanshme mund të nxisë veprime të ngjashme të serbëve, posaçërisht në veriun e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ivanovic, përse keni vendosur të mos jeni pjesë e këtyre zgjedhjeve në Kosovë?

Oliver Ivanoviç: Në nuk kishim mëdyshje nëse duhet apo jo të marrim pjesë. E kemi kuptuar qartazi se i vetmi, vend, e vetmja rrugë për të vendosur kontakte me popullatën shqiptare e kjo për ne është me rëndësi ekzistenciale, është nëpërmjet institucioneve që nënkupton pjesëmarrje në zgjedhje. Por në këtë çast kemi qëndrim unik në Beograd kundër zgjedhjeve. Kjo do të thotë që pjesëmarrja do të jetë e vogël, që nuk do të kemi mbështetjen e popullatës lokale dhe që do të kemi dyert e mbyllura në Beograd. Përfaqësuesi serb i cili nuk ka mbështetjen e popullatës dhe mbështetjen e Beogradit, nuk mund të llogarisë që mund ta kryej punën e tij. Në një rast të tillë do të dukeshim si njerëz që duan të marrin pjesë në zgjedhje dhe në institucione vetëm për vete. Ne këtë nuk e duam dhe kësisoj ishte motivuar vendimi për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Këto zgjedhje po mbahen në një periudhë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj, kur po zhvillohet procesi për statusin politikë. Si e shihni ju procesin për zgjidhjen e statusit?

Oliver Ivanoviç: Vetëm një ndërhyrje të vogël në pyetjen tuaj. Mendoj se nuk duhet përzier çështjen e zgjedhjeve dhe të statusit, sepse zgjedhjet janë proces demokratik dhe ndodhin kur u vjen koha. Ato në asnjë mënyrë nuk ndikojnë në status dhe në bisedimet të cilat edhe ashtu janë të bllokuara që nga fillimi. Është shumë keq që qysh në fillim është paragjykuar zgjidhja përfundimtare dhe kjo nuk e ka motivuar palën tonë që në mënyrë më aktive të marrë pjesë në proces. Kjo po ashtu nuk e ka motivuar palën shqiptare sepse ajo nuk ka bërë bisedime dhe as ndonjë propozim konstruktiv, përveç propozimeve që mbështesin zgjidhjen që më parë të përcaktuar. Kjo në asnjë mënyrë nuk është mirë. Mendoj që po nënçmohen pasojat e zgjidhjes së keqe të statusit dhe zgjidhje e tillë është ajo që nuk e ka pajtimin e të dyja palëve. Në ekziston asnjë afat kohor, asnjë arsye politike për përshpejtimin e kësaj çështjeje. Sepse një zgjidhje e përshpejtuar do të jetë gjithsesi e keqe dhe do të sjellë jo stabilitet afatgjatë për Kosovën dhe Ballkanin. Unë personalisht nuk mendoj se ka kushte që statusi të vendoset. Para disa vjetësh në një takim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kam thënë se zgjidhja më e mirë është moratoriumi prej dhjetë vjetësh. Kjo do të ishte mundësi që ne t'u kthehemi çështjeve të përditshme. Për fat të keq, statusit do të zgjidhet shpejt, do të thotë për një vit. Kjo nuk do të jetë zgjidhja përfundimtare, por kalimtare sepse nuk ka zgjidhje të cilën Serbia nuk e pranon dhe ajo nuk do të pranojë asnjë formë të pavarësisë.

Zëri i Amerikës: Prishtina ka paralajmëruar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Çfarë do të ishte reagimi juaj dhe i serbëve të Kosovës në përgjithësi?

Oliver Ivanoviç: Ky është edhe një veprim i politikanëve të këqij të cilët provojnë të mashtrojnë popullin duke i premtuar statusin si fjalë magjike që do të zgjidhë të gjitha problemet. Kam frikë se ata do ta bëjnë këtë, por me siguria jo nëse nuk marrin mbështetje për këtë. Këta politikanë nuk janë të zotë të marrin vendime dhe në parim janë nën ndikimin e qendrave të fuqishme si Washingtoni e Brukseli. Nëse një vendim i tillë i ndodhë, pra një vendim i njëanshëm në Parlamentin e Kosovës, ai tërheq pas vetes një seri vendimesh të njëanshme. Ky është rreziku real. Veriu, jam i sigurt, do të shpallë pavarësinë e tij dhe nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Mendoj se në asnjë mënyrë nuk do të jetë mirë në Kosovë dhe kam frikë se lumenj të të rinjve do të largohen, sepse thjeshtë në një situatë të tillë nuk shohin ardhmëri. Harroni investimet, harroni punën, harroni kushtet normale të jetës. Sërish do të kthehemi në psikozën e luftës, në gjendje të tendosur dhe në një situatë të tillë të rinjtë do të kërkojnë punë në perëndim.

Zëri i Amerikës: A ka rrezik nga konfliktet në një rast të tillë?

Oliver Ivanoviç: Nëse ndodhë kjo me siguri do të ketë konflikte më të vogla, por nuk pres konflikt të shkallës së gjerë. Serbia me siguri nuk do të dërgojë ushtrinë në Kosovë, por ajo do të përcjellë më vëmendje se çfarë do të ndodhë me popullatën serbe. Kjo është shumë e rrezikshme. Çdo serb që pëson mund të jetë nxitës për një veprim të ri. Personalisht kam frikë se militantët shqiptarë dhe ka të tillë nga radhët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët vetëm sipërfaqësisht janë paqësuar, do të vlerësojnë se është koha e tyre. Në thelb ky do të jetë ndryshimi i politikës së përgjithshme, sepse ata do të provojnë të shqetësojnë masat në Kosovë sepse vetëm në një situatë të tillë mund të reagojnë. Ajo që mua më shqetëson jo stabiliteti i plotë dhe në një gjendje të tillë me siguri nuk do të ketë investime të reja nga investuesit e huaj. Këtu do të vijnë sikurse deri tash, para kryesisht të fituara në rrugë të paligjshme dhe prej tyre nuk përfiton askush, as shqiptari, as serbi dhe askush që jeton në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Si të shmanget një skenar i tillë?

Oliver Ivanoviç: Të gjithë në Ballkan kemi nevojë për mençuri. Përmbajtje nga deklaratat euforike e romantike. Ky është rast për politikanë pragmatik që do të ulen dhe të mendojnë se cilat do të jenë pasojat e cilitdo veprim. Nuk duhet të ketë asnjë veprim të njëanshëm, sepse kur njëra anë merr një vendim të tillë, nxitë edhe reagimin e palës tjetër. Këtë duhet ta kuptojnë edhe ata që janë këtu në pozitën e vëzhguesve, pra bashkësia ndërkombëtare. Mos e nënçmoni atë që mund të bëjë Serbia sepse ajo është shtet me peshë në Ballkan. Nëse Serbia është e paqëndrueshme, e ajo do të jetë e tillë për shkak të veprimeve të njëanshme, atëherë nuk ka paqe në Ballkan. I gjithë Ballkani do të jetë i trazuar dhe çdo gjë që është investuar që nga vitit 1995 e deri tash do të hidhet në ujë. Duhet të përgatitet mision i ri dhe fonde të jashtëzakonshme për të sjellë gjendjen sërish në vend. //rd//

XS
SM
MD
LG