Lidhje

Burns: Serbia të mos i rezistojë me forcë pavarësisë për Kosovën


Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit ritheksoi dje mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikqyrur nëse negociatat për statusin e saj nuk çojnë në marrëveshje deri më 10 dhjetor. Nënsekretari i Shtetit për Çështje Politike Nicholas Burns i tha Kongresit se trupat e NATO-s në Kosovë do të shtypin çdo përpjekje për ta kundërshtuar me forcë procesin kalimtar.

Zyrtari kryesor i Departamentit të Shtetit që merret me politikën për Kosovën tha se komunitetit ndërkombëtar do t’i duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e tij për Kosovën nëse nuk arrihet marrëveshje me bisedime. Ai i bëri Serbisë një paralajmërim të nënkuptuar që të mos përpiqet t’i rezistojë me forcë një rezultati të tillë.

Zoti Burns i bëri komentet dje përpara një Nënkomisioni për Punët e Jashtëme të Dhomës së Përfaqësuesve pas takimit që pati më parë me zotin Wolfgang Ischinger, i dërguar i Bashkimit Europian në bisedimet për Kosovën dhe me zotin Frank Wisner, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në këto bisedime.

E ashtuquajtura Treshe, e përbërë nga Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, po ndërmjetëson bisedimet mes Serbisë dhe udhëheqësve të Prishtinës me synimin për të arritur zgjidhjen e statusit të Kosovës përpara afatit të vënë nga Kombet e Bashkuara që skadon më 10 dhjetor.

Por bisedimet, të cilat rifillojnë javën e ardhëshme në Bruksel, ndodhen në rrugë pa krye për shkak se shqiptarët kërkojnë pavarësi ndërsa Serbia nuk heq dorë nga oferta për autonomi.

Zoti Burns, numri tre i Departamentit të Shtetit, ritheksoi mbështetjen amerikane për të kaluar në një periudhë të pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën e cila do të çonte pastaj në pavarësi të plotë, siç është propozuar nga ndërmjetësi i OKB-së, Martti Ahtisaari në fillim të këtij viti.

Disa figura politike në Beograd kanë lënë të kuptohet se Serbia mund t’i rezistojë me forcë zbatimit të planit Ahtisaari ndërkohë që vende të tjera ballkanike janë të shqetësuara se në Kosovë mund të ketë trazira politike pas skadimit të afatit.

Megjithatë, zoti Burns tha se nuk shikon ndonjë arësye për trazira meqenëse në Kosovë është prania e trupave të NATO-s e cila parashikohet të vazhdojë pa ndonjë afat. Ai tha se shpreson shumë se Serbia nuk do të përpiqet të nxisë trazira, sidomos në pjesën veriore të Kosovës që banohet kryesisht nga pakica serbe: "Ne kemi 17,000 trupa të NATO-s në Kosovë, duke përfshirë rreth 1,500 trupa amerikane. Këto trupa ndodhen atje për të ruajtur ligjin dhe rendin. Ato do të shtypin çdo përpjekje nga cilado palë për ta marrë ligjin në duart e saj, për të kërkuar ndarje ose për të kërkuar paqendrueshmëri. Dhe mendoj se ne mund t’ja besojmë NATO-s këtë punë dhe në të njëjtën kohë mund të besojmë se diplomacia jonë do të ketë sukses për të bindur popullin e atjeshëm që të ecë përpara, duke patur parasysh faktin se 95 përqind e njerëzve që jetojnë tani në Kosovë janë myslimanë shqiptarë,” tha zoti Burns.

Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës kanë kërcënuar se do të shpallin në mënyrë të njëanëshme pavarësinë dhe do të kërkojnë njohje ndërkombëtare me të përfunduar afati i bisedimeve.

Kryeministri serb, Vojislav Kostunica tha të martën se një Kosovë e pavarur do të shkelte Kushtetutën e Serbisë dhe se Beogradi është i vendosur të gjejë një kompromis që do ta mbante Kosovën brenda Serbisë por me të drejta maksimale.

Treshja ndërkombëtare pritet të zhvillojë dy raunde të tjera bisedimesh me palët dhe më 10 dhjetor do t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon.

Zoti Burns tha se zbatimi i planit Ahtisari është alternativa më e mirë në mungesë të një marrëveshjeje të arritur me bisedime.

Ai tha se nëse e pranon një plan të tillë, Serbia mund t’u japë fund tensioneve të mbetura nga konfliktet ballkanike të viteve 90 dhe të kërkojë një vend në Bashkimin Europian si dhe marrëdhënie me NATO-n.//ii

XS
SM
MD
LG