Lidhje

Pakistan: Bhutto kundërshton qeverinë e përkohshme


Ish-kryeminsitrja e Pakistanit Benazir Bhuto, e kundërshtoi krijimin e qeverisë së përkohëshme dhe u bëri thirrje partive të opozitës të bashkohen përballë udhëheqësit ushtarak, Presidentit Pervez Musharraf.

Në komentet që bëri sot, pas lirimit nga arresti shtëpiak në Lahore, zonja Bhuto tha se qeveria e re, e cila do të mbikqyrte zgjedhjet e përgjithshme, është e papranueshme. Ajo tha se votimet, që janë caktuar të mbahen në fillim të janarit, nuk mund të jenë të drejta dhe të lira, nëse mbahen në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme.

Më parë, po sot, gjenerali Musharraf drejtoi ceremoninë e betimit të Kryetarit të Senatit, Muamadmian Soomro, një aleat i ngushtë i tij, në postin e kreut të qeverisë së përkohëshme.

Në Peshavar dhe gjetkë u zhvilluan sot protesta anti-qeveritare, të cilat u shpërndanë nga policia.

Ndërkohë, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, John Negroponte mbërriti në Pakistan, për bisedime me Presidentin Musharraf. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan të bashkëpunojnë me qeverinë, popullin dhe politikanët pakistanezë, për ta normalizuar procesin politik. Nuk është e qartë nëse zoti Negroponte do të takohet me zonjën Bhutto. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë vazhdimisht thirrje Gjeneralit Musharaf të heqë gjendjen e jashtëzakonshme, të rivendosë kushtetutën dhe të japë dorëheqje nga posti i komandantit të përgjithshëm ushtarak. //rd//

XS
SM
MD
LG