Lidhje

Autoritetet në Kosovë u bënë thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje


Autoritetet në Kosovë u bënë thirrje për herë të fundit qytetarëve që të dalin në zgjedhjet parlamentare e lokale. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thanë sot në Prishtinë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për votimet e nesërme. Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, Tim Guldiman, njëherësh edhe kryesues i komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se procesi tashmë varet vetëm nga qytetarët e Kosovës dhe nga pjesëmarrja e tyre në votime.

“Unë dua tu bëjë thirrje të gjithëve qytetarëve të Kosovës, por mbi të gjitha pjesëtarëve të komuniteteve që të marrin pjesë në zgjedhje pasi që pjesëmarrja e tyre do të jetë thelbësore për ndërtimin e institucioneve demokratike për të ardhmen", tha zoti Guldiman.

Edhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joakim Ryker, u është bashkuar thirrjeve për pjesëmarrje të qytetarëve në votime.

“U bëjë thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike. Shpresojmë që nesër të shohim një pjesëmarrje të lartë të votuesve në mënyrë që udhëheqësit politik të Kosovës të jenë të ligjshëm nga sovrani e që është populli i Kosovës”, tha shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker. Ai u bëri thirrje në veçanti qytetarëve serb që të bëhen pjesë e këtij procesi.

Zyrtarë të KFOR-it dhe të policisë, u zotuan ndërkaq, për ruajtjen e sigurisë gjatë votimeve dhe për këtë siç tha komandanti i forcave paqeruajtëse, Xavier Bout de Marnjak, janë bërë të gjithë përgatitjet e duhura.

“Gjatë javëve të kaluara, në bashkëpunim të ngushtë me policinë e UNMIK-ut dhe Shërbimin Policor të Kosovës, KFOR-i ka bërë të gjitha përgatitjet në mënyrë që çdo qytetar i Kosovës pa dallim përkatësie etnike të ketë mundësi që në mënyrë të lirë dhe të sigurt të shkojë në votime”, tha komandanti i KFOR-it.

Nesër, duke filluar nga ora 7 e mëngjesit, rreth 1.5 milionë qytetarë të Kosovës do të dalin në votime për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin 120 vendesh të Kosovës, në Kuvendet komunale dhe kryetarët e komunave. Zgjedhjet e nesërme janë të pestat me radhë që mbahen në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, ndërsa cilësohen të rëndësishme për shkak të periudhës së mbajtjes së tyre që përkon me procesin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. (ze)

XS
SM
MD
LG