Lidhje

Shqipëria: Zgjedhjet në Kosovë treguan pjekuri të klasës politike


Në Shqipëri autoritetet më të larta shetërore dhe politike përshëndetën me entuziazëm zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë. Për të gjithë, që nga presidenti Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha e deri te kryetari socialist Edi Rama, procesi i së shtunës në Kosovë tregoi një pjekuri të klasës politike, të vetë popullit të Kosovës dhe shihet si një dëshmi e funksionimit të institucioneve, të aftë të marrin në dorë udhëheqjen e shtetit të ardhshëm të Kosovës.

Në Shqipëri më shumë se sa fituesi i zgjedhjeve të së shtunës në Kosovë, më me rëndësi është konsideruar mënyra se si ato do të zhvilloheshin. Të mbajtura në një moment kyc për të ardhmen e saj, kur cështja e statusit është ndër cështjet kryesore edhe në tryezat më të larta ndërkombëtar, votimet e sotme përcollën atë mesazh të nevojshëm dhe që pritej. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare përshëndetën mbrëmë me shumë entuziazëm gjithë ecurinë e procesit zgjedhor në Kosovë.

Presidenti Bamir Topi në një deklaratë të tij vlerëson se populli i Kosovës me zgjedhjet e djeshme dëshmoi se “parametrat demokratike dhe evropiane nuk janë të huaja për të. Ai dha provën më të qëndrueshme se nuk është i ndryshëm nga popujt e tjerë të Evropës së lire” shprehet Presidenti Topi duke shtuar se “të gjithë forcat politike provuan se janë të afta të marrin përgjegjësitë e drejtimit të këtij vendi. Kosova – nënvizon Presidenti Topi - dëshmoi për nivelin e lartë të funksionimit të shtetit ligjor e të institucioneve të tij si dhe të demokracisë dhe sigurisë në vend”. Sipas kreut të shtetit shqiptar “Kosova sot ndodhet më afër se asnjëherë tjetër e përgatitur të marrë vendimin historik për fatin e të ardhmes së saj në Evropë si shtet i lirë dhe Sovran”.

Në të njejtën frymë edhe deklaratat e kryeministrit Sali Berisha sipas të cilit “qytetarët e Kosovës, me një votim të përgjithshëm për autoritetet qendrore dhe vendore, votuan, duke dëshmuar përpara Kosovës dhe mbarë Europës funksionimin e shtetit ligjor në Kosovë, maturinë demokratike të saj, vullnetin e pandryshuar të shqiptarëve të Kosovës për një Kosovë të lire, demokratike, të pavarur dhe të integruar në NATO dhe Bashkimin Europian. Me këtë proces – I mbyll komentete e tij kryeministri Berisha - ka vetëm të fituar. Ka fituar Kosova, ka fituar demokracia, shteti ligjor i Kosovës, kanë fituar të gjithë qytetarët e saj”.

Ndërsa Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha në deklaratën e tij nënvizon se “me këto zgjedhje Kosova provon se ecuria e proceseve demokratike atje është e pakthyeshme, se vota e lirë e qytetarëve, jo vetëm konsolidon arritjet e deritanishme, por edhe ndërmarrjen e hapave vendimtare së bashku me komunitetin ndërkombëtar, për njohjen e statusit të saj përfundimtar, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme që shteti i ri i Kosovës të përfshihet në familjen e kombeve”.

Për kryetarin socialist Edi Rama me zgjedhjet e djeshme “po lind de facto shteti më i ri europian, shteti i ri demokratik i Kosovës, me insitucionet e tij të zgjedhura nga populli. Shqiptarët e Kosovës – vazhdoi me tëj zoti Rama - po i japin jetë me votën e tyre një shteti të gatshëm për të përballuar sfidën e madhe të demokratizimit e të modernizimit, për të promovuar demokracinë, paqen e stabilitetin në rajon, për t’u bashkuar me shtetet e tjerë të Ballkanit në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian”.

“Serbia – vazhdoi me tej zoti Rama - duhet të zgjohet nga makthi i së shkuarës së saj dhe të vetëdijësohet njëherë e përgjithmonë se në kufijtë e saj ka lindur një shtet i ri dhe se serbët duhet të shohin përpara, drejt një Ballkani politikash të përbashkëta europiane, pa pengesa për lëvizjen e lirë të njerëzve e të mallrave dhe me zemrën e mendjen në Europën e Bashkuar. Por dhe Europa, sipas kryetarit socialist “duhet ta pranojë me një zë atë që arsyeja historike dhe vetë historia e saj e kanë përcaktuar tashmë si fakt të patjetërsueshëm: Lindjen e shtetit të ri europian të Kosovës”. //kk//

XS
SM
MD
LG