Lidhje

Vëzhguesit: Zgjedhjet përputheshin me standardet


Vëzhguesit e Këshillit të Evropës dhe të Parlamentit Evropian thanë se zgjedhjet e djeshme në Kosovë u zhvilluan në pajtim me standardet ndërkombëtare, por ata u shprehën të shqetësuar për pjesëmarrjen e ulët të votuesve në këto zgjedhje. Sipas tyre, kjo pjesëmarrje u dërgon një mesazh të qartë udhëheqësve politikë të vendit.

Shefi i misionit vëzhgues të Këshillit të Evropës, Giovanni Di Stassi, tha se misioni i tij ka veçuar tri çështje kryesore që karakterizojnë zgjedhjet e 17 nëntorit dhe që sipas tij, duhet të shqyrtohen me kujdes. “Çështja e parë është se zgjedhjet u kryen në përgjithësi në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare dhe se rezultatet duhet të respektohen plotësisht. E dyta yshtë se pjesëmarrja e përgjithshme ishte jashtëzakonisht e ulët. E treta, në Kosovë, muri ndërmjet dy komuniteteve kryesore, pra mes komunitetit shqiptar dhe atij serb mbetet shumë i lartë dhe shumë i trashë”.

Anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris Pack tha se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e djeshme lidhet me zhgënjimin e tyre ndaj politikanëve. Ishim të alarmuar nga pjesëmarrja tejet e ulët, dhe erdhëm në përfundimin se kjo pjesëmarrje e vogël pasqyron zhgënjimin e popullatës nga puna e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Nga ana tjetër, mendoj se nuk është vetëm ky fakt, por edhe ajo se populli i Kosovës është ngopur me tërë situatën politike, me diskutimet e pafund për situatën e tyre personale dhe rajonale. Mendoj se duhet të kemi parasysh edhe faktin se të gjithë në rajon flasin për korrupsionin midis klasës politike dhe mendoj se kjo nuk duhet të tolerohet nga ata që janë zgjedhur dje. Pjesëmarrja tepër e ulët e serbëve, është pasojë e kërcënimeve nga autoritetet e Beogradit por edhe nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, tha zonja Pack.

Ajo u bëri thirrje politikanëve të zgjedhur që të angazhohen për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat evropiane, ku siç tha zonja Pack, Kosova e ka vendin e saj. //ii

XS
SM
MD
LG