Lidhje

Bashkëpunimi amerikano-turk në luftën kundër kryengritësve kurdë


Dy gjeneralë amerikanë zhvilluan bisedime në Ankara me një zyrtar të lartë ushtarak turk rreth bashkëpunimit në luftën kundër kryengritësve kurdë.

Komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali David Petraeus, dhe zëvendës-shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali James Cartwright, u takuan sot me zëvendës shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjeneralin Ergin Saygun.

Ambasada amerikane në Ankara tha se bisedimet u përqendruan në shkëmbimin e të dhënave të zbulimit, në gjendjen në Irak dhe në goditjen ndaj kryengritësve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që të dy palët e konsiderojnë armik të përbashkët.

Ambasada amerikane tha se takimi u mbajt në vazhdën e bisedimeve të fillimit të muajit mes Presidentit Bush dhe Kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Turqia ka dislokuar kontigjente të mëdha trupash në kufirin e saj juglindor në përgatitje për një sulm të mundshëm ndaj bazave të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit me bazë në Irakun verior.

Sot në Bruksel, Ministri i Jashtëm i Irakut, Hoshyar Zebari tha se kërcënimi i një ikursioni të madh nga ana e Turqisë është venitur sepse Iraku dhe Turqia kanë shtuar bashkëpunimin për të siguruar rajonin kufitar. (ze)

XS
SM
MD
LG