Lidhje

Prishtina dhe Beogradi mbeten të ndarë, SHBA përsërisin qendrimin për pavarësinë


Shqiptarët e Kosovës hodhën poshtë një propozim të ripunuar për autonomi të gjerë nga Serbia duke theksuar se pavarësia është alternativa e vetme. Dje, katër orë bisedime të ndërmjetësuara nga Treshja Ndërkombëtare në Bruksel dhe të cilësuara nga të dyja palët si “intensive dhe të vështira”, përfunduan me akuza të ndërsjella se kush duhet fajësuar për mungesën e kompromisit.

Ndërmjetësit nga Bashkimi Europian, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po nxitojnë të ngushtojnë hendekun mes palëve para datës 10 dhjetor, afati kur ata duhet t’i raportojnë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Në kushtet kur udhëheqësit e Prishtinës kanë kërcënuar se do të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanëshme, ekzistojnë shqetësime se në Ballkan mund të fillojë një valë e re dhune nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 10 dhjetor.

Pas bisedimeve të djeshme, presidenti serb Boris Tadiç tha se vendi i tij është krejtësisht kundër një vendimi të njëanshëm. "Shpresoj se zoti Hashim Thaçi dhe autoritetet e tjera të institucioneve të përkohëshme të Kosovës nuk do të ndërmarrin vendime të njëanëshme. Ne jemi krejtësisht kundër vendimeve të tilla. Nëse duam të arrijmë marrëveshje, vendimet e njëanëshme nuk janë rruga drejt arritjes së saj,” tha Presidenti Tadiç.

Nga ana e tij, i dërguari i Bashkimit Europian në bisedime, Wolfgang Ischinger, tha se mbetet optimist se përparimi është i mundur.

Në tryezë është një plan i zotit Ischinger, për t’u ofruar palëve një marrëveshje për të ashtuquajturin “status neutral”, sipas të cilit, Beogradi dhe Prishtina do të binin dakord për disa masa praktike, si lidhjet tregtare dhe çështjet kufitare por pa diskutuar për pavarësinë.

Përmes zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak, Shtetet e Bashkuara përsëritën dje qendrimin e tyre të pandryshuar se rezultati përfundimtar i procesit të statusit duhet të jetë pavarësia për Kosovën. “Pozicioni ynë është i pandryshuar. Ne kemi qenë në kontakt me ambasadorin Ishinger i cili ka dalë me një nismë të Treshes. Ne do të shikojmë nëse kjo nismë do të ketë ndonjë mbështetje. Por ne e kemi deklaruar se cili, për mendimin tonë, është pika përfundimtare dhe kjo është pavarësia,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Rusia ka mbajtur qendrim të ftohtë ndaj këtij plani, ashtu si edhe zyrtarët serbë dhe kosovarë.

Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica tha dje në Bruksel se plani për statusin neutral është i papranueshëm për vendin e tij. "Nuk e kam dëgjuar kurrë një frazë të tillë si kjo e statusit neutral. Çfarë është statusi neutral? Në botë ekzistojnë lloj lloj përkufizimesh për shtetet apo marrëveshje institucionale për to të cilat janë mjaft të njohura. Por çdo të thotë status neutral? Mund t’ju them se statusi neutral është një shprehje për të mbuluar faktin se Kosova dhe Serbia duhet të jenë shtete të pavarur dhe kjo për Serbinë është krejtësisht e papranueshme," tha zoti Koshtunica.

Anëtari i ekipit negociues të Prishtinës, Skënder Hyseni, akuzoi serbët se po kërkojnë ta zvarrisin procesin pafundësisht. "Bazuar në ato që dëgjuam nga delegacioni serb, një synim i qartë i Serbisë është ta zvarrisë procesin pafundësisht. Kosova nuk është e gatshme të presë kaq gjatë. Përsa i përket Kosovës, 10 dhjetori është fundi i negociatave dhe shumë shpejt pas kësaj Kosova do të vendosë, së bashku me partnerët kryesorë në komunitetin ndërkombëtar për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren, pra menjëherë pas 10 dhjetorit."

Negociatat për statusin kanë zgjatur për rreth dy vjet dhe deri tani nuk ka patur ndonjë përparim.

Në bisedimet e djeshme, udhëheqësit serbë u paraqitën shqiptarëve një ofertë të ripunuar për autonomi të gjerë por jo pavarësi për Kosovën.

Delegacioni i Kosovës e hodhi poshtë ofertën, duke ngulur këmbë te kërkesa për pavarësi. Kryeministri Agim Çeku tha se serbët po ofrojnë më pak se sa ajo që kanë sot kosovarët. "Ata duhet të njohin realitetin që ekziston sot në Kosovë. Ajo që ata ofrojnë është më pak se sa ajo që ne kemi në Kosovë. Cili do të ishte ai që do të hiqte dorë nga gjithë ato arritje të popullit të Kosovës,” tha zoti Çeku.

Udhëheqësit serbë dhe shqiptarë do të takohen për një raund të fundit bisedimesh treditëshe javën e ardhëshme në Baden të Austrisë.

MERKEL-PRODI: DISKUTIME MBI STATUSIN E KOSOVES

Çështja e statusit përfundimtar të Kosovës ishte dje në qendër të takimit të Kancelares gjermane Angela Merkel me Kryeministrin italian Romano Prodi. Të dy zyrtarët e lartë u shprehën për nevojën e një qëndrimi të harmonizuar të Bashkimit Evropian.

“Ne diskutuam rreth konflikteve ndërkombëtare dhe folëm për situatën në Kosovë në fund të vitit. Evropa do të ketë përgjegjësi më të madhe. Gjermania dhe Italia janë të një mendimi për gjetjen e një qëndrimi të bashkërenduar të BE-së për Kosovën”.

Takimi i dy udhëheqësve të lartë evropianë, u zhvillua ndërkohë që po afrohet afati i 10 dhejtorit për përfundimit të negociatave shtesë midis Prishtinës dhe Beogradit, pa ndonjë shpresë në horizont për arritjern e një marrëveshjeje.

Shqiptarët në Kosovë thonë se shumë shpejt pas 10 dhjetorit do të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëashme, duke nënvizuar vazhdimisht, se këtë hap do ta ndërmarrin në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.

Uashingtoni ka theksuar se në se palët nuk arrijnë dot një marrëveshje, atëhere statusi i Kosovës do të përcaktohej në bazë të planit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së Marti Ahtisaari, që parashikon pavarësi të mbikqyrur.

Në këtë rast Bashkimi Evropian do të luante rolin kryesor për drejtimin e proceve shtetformuese në Kosovë. Por Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur të ketë një qëndrim të përbashkët për Kosovën. Disa vende, si Spanja, Qipro e Greqia kërkojnë që zgjidhja të vijë përmes Këshillit të Sigurimit.

Rusia, aleate tradicionale e Serbëve ka kërcënuar të verë veton ndaj çdo propozimi që nuk gëzon mbështetjen e Beogradit.

Duke folur sot pas takimit me Kancelaren Merkel, Kryeministri italian Romano Prodi, po ashtu theksoi nevojën e një politike të bashkërenduar të BE-së për Kosovën.

“Gjatë muajve të ardhshëm, Kosova do të jetë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes. Ne po punojmë për të harmonizuar qëndrimin tonë për Kosovën, për të patur një politikë të përbashkët evropiane, në mënyrë që ky tranzicion i vështirë në Kosovë të bëhet në mënyrë paqësore dhe që të gjithë qytetarët të jenë të sigurtë”.

Një raund i fundit bisedimesh midis Beogradit dhe Prishtinës pritet të zhvillohet më 26 deri 28 nëntor në Vjenë dhe më 10 dhjetor, përfaqësuesit e treshes, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, do t’i paraqesin raportin e tyre Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon. //ze

XS
SM
MD
LG