Lidhje

Amnesty International nxjerr një raport mjaft kritik për gjendjen e jetimëve në Shqipëri


Organizata "Amnesty International" publikoi sot një raport mjaft kritik për gjendjen e jetimëve në Shqipëri, sidomos për ata që janë të rritur dhe që kanë mbetur pa strehë dhe në varfëri ekstreme. Pasi vëzhgoi disa qendra në Vlorë, Shkodër dhe Tiranë, Organizata tha se ato janë geto jetimësh dhe u kërkoi zyrtarëve qendrorë dhe vendorë që të zbatojnë ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Organizata Amnesty International u bëri sot thirrje zyrtarëve të Shqipërisë që të shtojnë kujdesin për jetimët e të gjitha moshave, vecanërisht për strehimin e atyre në moshë madhore. Amnesty International publikoi një raport, sipas të cilit rreth 350 jetimë të moshës 20 deri 40 vjecare jetojnë në kushte mjaft të vështira, duke ju shkelur hapur të drejtat njerëzore, mes të cilave edhe drejta për të patur një banesë.

Veprimtarët e Organizatës kontrolluan disa banesa të shkatërruara ku strehohen jetimët në Vlorë, Tiranë, Shkodër, Korcë, Elbasan, dhe u kërkuan qeverisë dhe bashkive që të kujdesen për jetimët, duke i strehuar në pallatet që po ngrejnë për të pastrehët.

Koordinatorja e Amnesty International, Jezerca Tigani, thotë se e drejta për strehim është një e drejtë minimale, por institucionet shqiptare ja hedhin fajin njëra-tjetrës. "Ky raport nxjerr në pah se si qeveritë shqiptare kanë dështuar dhe vazhdojnë që të dështojnë në mbrojtjen e të drejtave njerëzore të jetimëve dhe se si ky dështim ka sjellë margjinalizimin e tyre. Mohimi i të drejtës së strehimit e ka cuar këtë grup më thellë në varfëri dhe përjashtim social si dhe ka nënvlerësuar aksesin e tyre në të drejta të tjera" - thotë zonja Tigani.

Një nga autoret kryesore të raportit për Shqipërinë, përfaqësuesja e Amnesty International, Melani Anderson, thotë se vërtet Shqipëria ka të paktën 45 mijë familje të pastreha, megjithatë bashkitë dhe qeveria duhet të strehojnë jetimët njëlloj si gjithë të tjerët. "Ligji shqiptar u kërkon autoriteteve qendrore dhe vendore që të marrin masa për strehimin e jetimëve kur mbarojnë shkollën e mesme, por në praktikë këto kërkesa ligjore shpërfillen duke lënë pasoja të dëmshme për jetimët dhe në dia raste pasoja tragjike" - thotë zonja Anderson.

Veprimtarët e Amnesty International vizituan konviktet e shkollës teknologjike në Tiranë, konviktin e shkollës Arben Broci në Shkodër, shkolla tregtare në Vlorë, të cilat i quajtën të pabanueshme, geto jetimësh, ku ata jetojnë në izolim dhe në varfëri të plotë. "Jetimët e pastrehë nuk janë një numër aq i madh dhe ky objektiv mund të arrihet nëse ekziston vullneti politik" - tha zonja Anderson.

Amnesty International u kërkoi qeverisë dhe bashkive që të zbatojnë konvektat ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar ligjin "për statusin e jetimit", të ngrejnë sa më shumë banesa sociale dhe t'i ndajnë ato me transparencë të plotë, duke patur në komisionet e strehimit edhe përfaqësues të jetimëve. Strehimi është vetëm një nga problemet e 68 mijë jetimëve shqiptarë, të cilët hasin vështirësi të shumta për shkollim, punësim, ushqim e veshje dhe fonde të pamjaftueshme vetëm 50 usd në muaj.//rd//

XS
SM
MD
LG