Lidhje

Koncert bamirësie me violinat e Stradivarit


Prodhuesi i famshëm i violinave, Antonio Stradivari krijoi më shumë se një mijë instrumenta muzikorë. Por ishin violinat, të cilat artizani italian i ndërtoi midis viteve 1700 dhe 1720, në të ashtuquajturën “Periudha e Artë” që e bënë atë të paharruar. Këto instrumente që tani njihen në mbarë botën, si violinat e Stradivarit, janë midis artifakteve më të famshme dhe më të vlefshme në historinë e muzikës. Siri Nyrop i Zërit të Amerikës mori pjesë në një koncert, ku 12 nga violinat e Stradivarit, ishin në duart e disa prej muzikantëve më të famshëm në botë.

Kjo është pjesa ”Navara për Dy Violina”, kompozuar nga violinisti spanjoll Pablo de Sarasate dhe që po interpretohet nga violinisti japonez Sayaka Shoji dhe nga violinistja gjermane Arabela Steinbacher.

Ajo që po dëgjoni është tingulli i prodhuar nga dy violinat më të shtrenjta në botë, që njihen si Stradivarius, emri i prodhuesit të tyre. Vetëm disa qindra nga violinat Stradivari ekzistojnë sot dhe tani ato shiten për gati 3 milion e gjysmë dollarë copa. "Pra së bashku me violinën time, në këtë skenë kemi violina me një vlerë prej 65 milion dollarësh". Maestro Lorin Maazel është drejtor i Filarmonisë së Nju Jorkut dhe skena për të cilën flet ndodhet në një teatër privat në pronën e tij pranë Washington DC.

Në tetor të vitit 2007, Maestro Maazel organizoi një koncert bamirësie me 12 violina të Stradivarit, me të cilat interpretuan 12 mjeshtër të violinës. Midis tyre, Kuarteti i Harqeve të Tokios po luan këtë pjesë, të Nikola Paganinit.

Maestro Maazel thotë se ajo që e bën violinën Stradivarius kaq të çmueshme, është forca dhe pastërtia e tingullit. Ai i prezantoi violinat një nga një, duke i dhënë mundësinë audiencës të shikonte cilësinë e secilit instrument. "Po i prezantojmë violinat në mënyrë kronologjike, të renditura sipas muzikantët që do të interpretojnë në to. Ata dalin në skenë një nga një, luajnë instrumentin për një moment, duke i lejuar spektatorët të dëgjojnë tingullin. Më pas, publiku do të kalojë me radhë pranë secilës violinë por nuk do të kenë mundësinë t’i prekin ato – vetëm t’i shohin nga afër". Violinat, të cilat u morën hua nga Japonia, do të kthehen aty për t’u përdorur nga mjeshtra të tjerë. Të ardhurat nga ky koncert special do të përdoren për një program bursash për muzikantë të rinj, që organizohet nga familja Maazel. //rd//

XS
SM
MD
LG