Lidhje

Historia e Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit në muze


Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit ka një histori të larmishme dhe disa herë të debatueshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan bëri një vizitë në një muze ku shpaloset historia e këtij departamenti.

Hollivudi ka portretizuar trupat policore të Los Anxhelosit në disa filma, përfshi Rush Hour. Ato kanë zënë vend gjithashtu në një numër librash dhe shfaqjesh televizive. Por historia e vërtetë e një qyteti dikur pa kontroll që ngadalë u zhvillua në një qytet modern tregohet këtu në këtë stacion të vjetër policor që është tani muzeu i policisë së Los Anxhelosit.

L.A. punësoi për herë të parë forcën policore në vitin 1869. Glynn Martin, oficer në pension nga ky departament vështron komandantin dhe drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Historisë së Policisë së Los Anxhelosit, tek flet për ekspozitën me prangat, çelësat dhe mjetet e para të përdorura. Radiot e policisë, sirenat dhe sinjalet e dritave tregojnë historinë e evolimit të teknologjisë në departament. Në katin e sipërm janë uniformat e ditëve të para.

Në muze shihet gjithashtu bashkëpunimi i këtij departamenti me industrinë e filmit. Aty janë të vendosura dy emblema të policisë me fotografi identifikimi të dy dedektivëve fiktivë nga shfaqja televizive Dragnet. Martin thotë se shfaqja e ndihmoi departamentin. “Të mirat e komunikimit masiv janë se ke emrin tënd, markën tënde, siç e quajmë sot, në sytë e të gjithëve. Dhe këtë nuk e kishin agjenci të tjera të rendit në atë kohë”. Disa oficerë të departamentit janë bërë shkrimtarë të famshëm. “Më i suksesshmi ka qënë Joseph Wambaugh, dhe këtu kemi materiale që lidhen me librin e tij të parë The Onion Fild. Aty jepen detajet e rrëmbimit dhe vrasjes së disa oficerëve në vitin 1963 në Hollivud”.

Muzeu tregon gjithashtu historinë e një incidenti në vitin 1997 kur dy hajdutë bankash të armatosur rëndë luftuan me policinë për 44 minuta në Hollivudin Verior. Ndërsa policia kërkoi me radio përforcime, hajdutët qëlluan rreth 1 mijë e 200 plumba në atë betejë që u fiksua nga kamerat e televizionit. “Beteja shkaktoi plagosjen e 10 oficerëve dhe gjashtë civilëve në zonën e Hollivudit të Veriut. Të vrarë mbetën vetëm keqbërësit”.

Makina e një polici të plagosur dhe ajo e hajdutëve janë këtu në muzeum. Historia e departamentit të policisë së Los Anxhelosit ka mjaft heroizëm por ka edhe anë të errëta që lidhen me korrupsionin në ditët e para të departamentit deri tek skandalet dhe incidentet racore të viteve 1990.

Muzeu nuk i pasqyron këto tema, por Martin thotë se vizitorët bëjnë pyetje për këto.“Ne nuk shpalosim të metat tona por në të njëjtën kohë nuk u kthejmë shpinën. Në se na bëhet një pyetje, përgjigjemi në mënyrën më të mirë të mundur edhe në se ajo tregon mangësitë në punën tonë në vite”. Historia e departamentit të policisë së Los Anxhelosit, thotë oficeri në pension Glynn Martin, ia vlen të tregohet. //rd//

XS
SM
MD
LG