Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës thanë sot se pjesëmarrja e ultë e votuesve të këtij komuniteti në zgjedhjet e 17 nëntorit nuk është vetëm pasojë e thirrjeve të Beogradit për bojkotim të zgjedhjeve në Kosovë, por edhe e pakënaqësive të qytetarëve serb me institucionet e Kosovës. Ata i bënë këto komente gjatë një debati në Çagllavicë, afër Prishtinës, me temën" "Pse serbët e Kosovës nuk morën pjesë në zgjedhje".
Srgjan Vasiç, nga Partia Socialiste e Serbisë tha se, përveç serbëve të Kosovës, edhe shqiptarët në masën më të madhe i kanë bojkotuar zgjedhjet dhe sipas tij, pjesëmarrja prej vetëm 42 për qind flet qartë se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk janë në anën e atyre që i përfaqësojnë politikisht. "Është shume e qartë se nuk kemi të bëjmë me qëndrimin e Beogradit apo institucioneve relevante të Serbisë, por kemi të bëjmë me vendimin autonom të serbëve të Kosovës dhe Metohisë për të mos dalë në zgjedhjeve", tha zoti Vasiç, duke shtuar se serbët janë ata që në këto hapësira kanë përjetuar atë që kanë përjetuar, dhe ata vet kanë vlerësuar nëse janë plotësuar kushtet për të dalë në zgjedhje ose jo.
Përfaqësuesi i Listës Serbe për Kosovën, Randjel Nojkic, tha ndërkaq se ishin institucionet e Kosovës ato që kanë bërë që serbët të mos dalin në zgjedhje. “Ne mendojmë se është dashur të dilet në këto zgjedhje por ato është dashur të organizohen më mirë,... Pushteti i Beogradit është ende i rëndësishëm dhe do të jetë edhe shumë vite. Serbët e Kosovës nuk mund të jenë dekor në institucion”, tha zoti Nojkiç.
Ndërkaq, Sllavisha Petkoviq, i cili edhe ka përfaqësuar serbët në zgjedhjet e kaluara, nuk përjashtoi ndikimin e kërcënimeve të Beogradit në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. “Serbët e Kosovës nuk i bojkotuan zgjedhjet, por atyre u është ndaluar të votojnë, tha zoti Petkoviq duke shtuar se serbët janë frikësuar se do të largohen nga puna, do t'u ndalen pensionet, lehtësimet shëndetësore etj.",
Shefi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Tim Guldimann, pjesëmarrje e ultë të serbëve të Kosovës e arsyetoi edhe me thirrjet e Beogradit, por edhe me vet vullnetin e tyre. “Nëse serbët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje kjo është edhe si pasoje e thirrjes së Beogradit por edhe e vullnetit të tyre... sepse, edhe në zgjedhjet e kaluar, Beogradi ka bërë thirrje për të dalë në zgjedhje por serbët e Kosovë i kanë bojkotuar ato”, tha shefi i OSBE-së në Kosovë.
Qeveria e Re e Kosovës do të jetë multietnike. Kështu deklaroi nënkryetari i Partisë demokratike të Kosovë, Hajredin Kuqi duke shtuar se PDK do të ndërtojë një qeveri për të gjithë qytetarët e Kosovë. “Sido që të jetë, unë po ju them se PDK dihet që do ta udhëheq qeverinë e Kosovës, po e them publikisht se qeveria do të jetë multietnike. Në këtë kuptim, shfrytëzoj rastin që t'i ftoj përfaqësuesit e partive politike serbe që të marrin pjesë aktivisht në qeverinë e Kosovës, në resorë të caktuar dhe jo vetëm sipas asaj që është paraparë në Kornizën Kushtetuese por edhe si partner qeverisës. PDK do ta ndërtojë një qeveri që do të qeverisë me të gjithë qytetarët e Kosovës, në çdo pjesë të territorit të Kosovës dhe në dobi të të gjithëve”, tha nënkryetari i PDK-së.
Zoti Kuçi, duke deklaruar se Partia e tij do ta qeverisë Kosovën, bëri ftesë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve në mënyrë që t'i mbrojnë interesat e komunitetit serb. //rd//