Lidhje

GNK: Pavarësia e Kosoves, ndoshta në gjysmën e dytë të janarit


Hulumtues të Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë thonë se, paralajmërimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duhet të ndodhë më së largu në pjesën e dytë të janarit. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Naim Rashiti, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se, raporti i treshes ndërkombëtare për statusin e Kosovës do t'i hap rrugë një proces të ri të koordinuar në mes Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Bashkimin Evropian dhe Grupit të Kontaktit, ndërkohë që radha e Prishtinës është të bëjë trysni mbi shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit që në pranverën e ardhshme të njohin shtetin e Kosovës.

Hulumtuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, Naim Rashiti, thotë se paralajmërimi për shpalljen e pavarësisë së Kosovës duhet të ndodhë më së largu në pjesën e dytë të janarit.

Në një bisedë për 'Zërin e Amerikës' ai tha se mos bashkërendimi dhe mospajtimi brenda treshes ka bërë të pamundur arritjen e një qëndrimi të përbashkët brenda Këshillit të Sigurimit.

Megjithatë, raporti i përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, do të hap rrugë për një proces të ri të koordinuar në mes Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Grupit të Kontaktit. Zoti Rashiti tha se është radha e Prishtinës që të bëjë hapat e saj të rëndësishme duke filluar që nga formimi i qeverisë së re, ndërtimi i konsensusit institucional, si dhe duke bërë trysni mbi shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit që në pranverën e ardhshme të njohin shtetin e Kosovës. “Procesi i akordimit në mes Sekretarit të Përgjithshëm, Bashkimit Evropian, Grupit të Kontaktit dhe Prishtinës do të zgjasë më së shumti një muaj. Në pjesën e dytë të janarit, më së largu, ne duhet të kemi paralajmërimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Nëse aktorët e kyçur në këtë proces, duke përfshirë edhe Prishtinën, nuk do t’i bëjnë hapat e duhur, atëherë mund të kemi ngecje të procesit”, tha Naim Rashiti.

Zoti Rashiti shtoi se në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtarë të Krizave është kërkuar përgjegjësia evropiane për zgjidhjen e statusit të Kosovës si dhe ndërtimi i një perspektive për arritjen e pavarësisë së saj. Sipas tij, Bashkimi Evropian po arrin në një fazë kur qëndrimi i përbashkët mes shteteve anëtare të saj është në nivel të kënaqshëm dhe se po shtohet mirëkuptimi ndaj faktit se çështja e Kosovës nuk mund të shtyhet më tutje.

Sipas hulumtuesit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, zgjedhjet e 17 nëntorit nuk e kanë penguar procesin e statusit por ato kanë dëshmuar arritjen e shoqërisë së Kosovës në organizimin e tyre në periudhën më kritike për statusin e saj. “Tani jemi në një periudhë kur dënimi për institucionet për institucionet që nuk i realizojnë premtimet vjen shumë shpejt... Besoj se ç'do parti politike cila merr përsipër që të udhëheq institucionet do ta ketë në mendje se mos realizimi i premtimeve do t'i kushtojë shumë shtrenjtë në zgjedhjet e reja”, tha hulumtuesi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Zoti Rashiti tha se qytetarët e Kosovës tashmë kanë krijuar një kulturë institucionale. Ai tha se shpreson se, pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të 17 nëntorit, partitë politike nuk do ta humbin vizionin për perspektivë të shoqërisë në mënyrë që qytetarët të mos zhgënjehen në to. Megjithatë, ai tha se dënimi i partive fituese do të jetë në formën më të mirë, me votën e qytetarëve të Kosovës pas përfundimit të statusit politik të vendit. //rd//

XS
SM
MD
LG