Lidhje

Muzika e së Djelës - Me kompozitorin Çarli Daniels


Charlie Daniels e filloi karrierën e tij muzikore në vitet 1950, si violinist. Ai ka kompozuar këngë për Elvis Presley-n, Johnny Cash, Bob Dylan dhe shumë të tjerë. Kënga e tij e njohur e vitit 1979 “The Devil Went Down to Georgia”, fitoi çmimin Grammy për Interpretimin më të Mirë të Muzikës Kantri. Charlie Daniels ka shkruar edhe disa libra dhe është tani në një turne që përfshin një ndalesë në Irak. Daniels foli kohët e fundit me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Larry London për jetën dhe muzikën e tij.

Megjithëse Charlie Daniels është një muzikant i nderuar me çmime, kompozitor, producent dhe interpretues, që ka kaluar 50 vjet në industrinë e muzikës, ka vetëm një etiketim që i jep atij më shumë krenari. "Nuk jam muzikanti më i talentuar në botë. Nuk jam muzikant nga natyra. Më duhet të punojë pak më shumë për të. Zbulova kohë më parë se muzikantët largohen nga puna kurse interpretuesit nuk e bëjnë këtë asnjëherë, kështu që jam munduar të bëhem një interpretues i mirë", thotë Daniels.

Muzika e Daniels është vështirë të klasifikohet në një zhanër. Ai u rrit duke dëgjuar muzikën gospel, bluegrass, rhythm dhe blues dhe country. Daniels flet për dëgjimin e stacioneve të radiove lokale që e ndihmuan të formonte shijen e tij muzikore. "Gjatë ditës në radio luheshin të gjitha llojet e muzikës. E fillon ditën me country kurse mbasdite kur ktheheshin fëmijët nga shkolla luanin ato këngë që ishin më populloret. Në se je nga juglindja, je gjithmonë i ekspozuar me muzikën blues dhe gospel. Unë u ekspozova me lloje të ndryshme muzike. Unë jetova në kohën e grupeve të mëdha muzikore, në kohën e fillimit të rrokut, kohën e Elvisit e të tjera. U ekspozova ndaj llojeve të ndryshme muzike dhe kur u ula të kompozojë muzikë origjinale, të gjitha i kisha në ndërgjegje dhe m'u shfaqën në një formë apo në një tjetër".

Daniels është krenar për trashëgiminë e tij, rritur në jugun e Shteteve të Bashkuara. Ai i del në mbrojtje kulturës dhe mënyrës rurale të të jetuarit. Daniels nxorri kohët e fundit një koleksion esesh për domethënien e jetës në fshat. Libri përfshin kapituj nga njerëz në profesione të ndryshme, përfshi një nga një ish president amerikan."Kam marrë përgjigje nga një fitues i garës NASCAR, nga një ish president, dhe nga shumë individë nga industria e muzikës, që u përkasin tre gjeneratave. Pjesa më interesante rreth librit, nga pikëpamja ime, dhe ajo e ish presidentit Jimmy Carter, që shkroi një pjesë të librit, është se rritja në fshat në kohën tonë ishte shumë ndryshe nga ajo e këngëtares Carrie Underwood, e cila është një artiste e re që u rrit në Oklahoma dy breza më vonë. Ka disa gjëra të përbashkëta, sigurisht. I vihet një theks i madh familjes dhe njerëzve në biznesin e muzikës. I vihet një theks i madh punës që muzikantët bëjnë për të dalë me sukses në këtë biznes". Me luftën e tij për t’u bërë muzikant, Daniels mundi të luajë në orkestrimin e një regjistrimi për këngëtarin legjentar Bob Dylan. Ndërsa u përgatit të largohej për një punë tjetër, Dylan i kërkoi atij të qëndronte e të luante me të, të gjithë albumin. "Dylan nuk do ta kuptojë kurrë se çfarë do të thonin për karrierën time ato fjalë, pasi ai ishte aq zemërgjerë sa i vinte të gjithë emrat e orkestruesve në albunin e tij dhe ky ishte një kujtim i veçantë. Arrita të krijojë tre albume me Bob Dylanin", thotë Daniels.

“Deuces” është CD-ja e fundit e Charlie Daniels. Në të ai bashkohet me vokalistë nga stile të ndryshme të muzikës. Charlie thotë se nuk do ta bënte dot ndryshe. //rd//

XS
SM
MD
LG