Lidhje

Vaksinë kundër rotavirusit; Barnat kundër mbipeshës


Vaksinë kundër rotavirusit

Rezultatet e një studim botuar në revistën Lancet lënë të kuptohet se një vaksinë e thjeshtë pakëson dukshëm mundësinë e prekjes së fonjeve nga një virus që shkakton sëmundje të stomakut dhe zorrëve.

Rotavirusi është një problem tepër i shpeshtë tek fëmijët, që shkakton sëmundje në stomak e në zorrë. Nga sëmundje të tilla në botë vdesin çdo vit rreth 600 mijë foshnje. Shumica e vdekjeve ndodh në vendet në zhvillim.

Por ky virus prek çdo vit më shumë se një milionë fëmijë në Shtetet e Bashkuarat dhe mijëra prej tyre duhet të shtrohen në spital për t’u kuruar. Por vaksina e re kundër rotavirusit pakëson rastet e sëmundjeve të stomakut e zorrëve mes foshnjeve.

Këto ditë, shkencëtarët njoftuan rezultatet e një studimi mes afro 4 mijë foshnjeve, disa prej të cilëve iu dha vaksina e quajtur Rotarix, ndërsa të tjerët morrën vaksinë placebo. Rezultatet tregojnë se tek foshnjet që morrën Rotarix, rreziku i sëmundjes u pakësua 87 përqind. Gjasat për t’u prekur rëndë nga sëmundjet u pakësuan më shumë se 90 përqind, ndërsa nevoja e tyre për t’u shtruar në spital ra 96 përqind.

Rotarix ende nuk është miratuar për përdorim nga agjencia federale amerikane e ushqimeve dhe barnave, por një vaksinë e ngjashme e quajtur Rotateg, është miratuar për përdorim që prej vitit të kaluar. Qeveria amerikane tani rekomandon që të gjithë foshnjet e porsalindura të vaksinohen kundër rotavirusit.

Barnat kundër mbipeshës dhe efektet anësore

Një studim i ri botuar në revistën mjekësore britanike tregon se barnat për uljen e peshës trupore nuk ndikojnë shumë, ndërsa një ilaç eksperimental kundër mbipeshës duket se krijon edhe efekte të rënda psikiatrike.

Gjatë studimit të tyre, mjekët analizuan rezultatet e provave klinike të ilaçeve Meridia, Xenical dhe Acomplia, që përdoren kundër mbipeshës.

Në fillim të marrjes së këtyre ilaçeve, thuajse të gjithë pacientët ishin mbipeshë, dhe rezultatet treguan se shumica e tyre përsëri mbetën mbi peshë pavarësisht nga trajtimi me këto ilaçe. Asnjë nga të tre barnat nuk ndikoi në humbjen e më shumë se 5 kilogramëve. Personat që morrën Acomplia ranë nga pesha mesatarisht 5 kilogram, por një studim i dytë i publikuar këto ditë e lidh ilaçin Acomplia me problemet psikiatrike.

Acomplia përdoret në Evropë, ndërsa agjencia amerikane e ushqimeve dhe barnave nuk e miratoi shitjen e këtij ilaçi në Shtetet e Bashkuara, pjesërisht për shkak të efekteve anësore psikiatrike. Gjatë hetimeve të kryera nga ekspertët e kësaj agjencie u zbulua se Acomplia duket se ndikon edhe në shtimin e vetvrasjeve tek personat që e përdorin atë për të rënë nga pesha.

Studimi i këtyre ditëve botuar në revistën Lancet vërteteton këto shqetësime, duke thënë se Acomplia ndikon në shtimin e depresionit. Tani për tani, ekspertët thonë se ilaçet kundër mbipeshës mund të ndihmojnë deri diku, sepse edhe një humbje e vogël e peshës trupore përmirëson nivelet e sheqerit në gjak e të kolesterinës.

XS
SM
MD
LG