Lidhje

Robert Hend, pesimist për arritjen e një marrëveshjeje në Austri, optimist për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO


Ndërsa në Baden të Austrisë vazhdon sot për të dytën ditë raundi i fundit i negociatave për arritjen e një marrëveshjeje për statusin përfundimtar të Kosovës, përgjithësisht ekziston mendimi se edhe ky raund, ashtu si shumë të mëparshëm, nuk do të rezultojë në ndonjë marrëveshje Prishtinë-Beograd. Këshilltari i lartë i komisionit Helsinki i Kongresit amerikan, Robert Hand, thotë se vendimi për Kosovën duhet të meret së shpejti, ndërkohë që shqiptarët të mos humbasin përqëndrimin e tyre tek rezultati final. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hand shpreh optimizëm se Shqipëria i ka mundësitë për të bërë përparimin e duhur që të marë pranverën e ardhshme ftesën për antarësim në NATO.

Zëri i Amerikës: Këtë javë, për 3 ditë me radhë, përfaqësuesit e Prishtinës e të Beogradit ndodhen në Austri në një përpjekje të fundit për të arritur një marrëveshje rreth statusit përfundimtar të Kosovës. Sa shpresa ka për arritjen e një marrëveshjeje, ndërkohë që një numër takimesh nuk kanë rezultuar në ndonjë marrëveshje dhe të dyja palët mbeten në qëndrimet e tyre fillestare diametralisht të kundërta.

Robert Hend: Shpresoj që palët në bisedime të bëjnë një përpjekje të vullnetit të mirë për të arritur një marrëveshje gjatë kësaj faze të fundit të negociatave. Shpresoj që Prishtina dhe Beogradi të bëjnë të gjitha përpjekjet për të gjetur pikat, ku ata janë dakord në kuadër të procesit për të përcaktuar statusin e ardhshëm të Kosovës. Duke u nisur nga përvoja ime, diplomacia gjithashtu është diçka e minutës së fundit, kur shikohet se po afrohet afati i fundit. Ajo që mbetet për t’u parë është se ç’do të ndodhë nëse në fakt në këtë raund të fundit të bisedimeve nuk arrihet një marrëveshje; ç’do të bëjë treshja ndërkombëtare dhe ç’do të bëjë komuniteti ndërkombëtar. Sidoqoftë, nuk do t’i humbas shpresat se mund të gjehet një farë gjuhe e përbashkët mes dy palëve, por nuk jam optimist se raundi i bisedimeve të Austrisë do të përfundojë me një marrëveshje.

Zëri i Amerikës: Megjithëse Kosovës fillimisht iu tha se statusi i saj do të zgjidhej brënda vitit 2006, ne jemi tani gati në fund të vitit 2007, pas një sërë takimesh Prishtinë-Beograd. Ka ndërkohë zëra që thonë se negociatat duhet të vazhdojnë, duke përfshirë këtu natyrisht vetë Beogradin i mbështetur vazhdimisht nga Rusia. Në se do t’i vinim në peshë aspektet pozitive dhe negative si të përfundimit të këtij procesi apo të vazhdimit të negociatave; cila do të ishte për mendimin tuaj rruga më e mirë që duhet ndjekur?

Robert Hend: Gjatë vitit të fundit, e ndoshta edhe më gjatë, duke pasur parasysh qëndrimin dhe aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, fakti që Prishtina ka ndjekur të njëjtin kurs dhe është treguar e gatshme të bëjë disa kompromise lidhur me çështje lokale, lidhjet me Beogradin, për t’i siguruar serbët e Kosovës se ata kanë të ardhme në një Kosovë të pavarur, ka treguar një farë pjekurie nga ana e udhëheqjes politike të Kosovës. Mendoj se prapa thirrjeve për shtyrje dhe negociata shtesë kanë qenë shpresat se pa pritur shqiptarët e Kosovës do të humbisnin durimin dhe dilnin nëpër rrugë në protesta ndoshta të dhumshme. Mendoj se është pozitive që ata nuk kanë rënë pre e një taktike të tillë, nuk janë tërhequr nga negociatat, kanë punuar me komunitetin ndërkombëtar dhe kanë ndjekur rrugën e duhur. Shpresoj që ky kurs nga ana e shqiptarëve të vazhdojë, sepse e kundërta do të ishte kundërproduktive për Kosovën, e ndoshta pikërisht ajo që do të donin të shikonin Beogradi dhe Moska. Megjithë faktin se për arsye të ndryshme zgjidhja e statusit të Kosovës është shtyrë, vazhdimi i negociata dhe mos marrja e një vendimi përfundimtar nuk do të ndihmojë situatën as në Kosovë e as në Serbi. Prandaj mendoj se duhet të merret një vendim shumë shpejt. Natyrisht që është një çështje delikate dhe Prishtina e di këtë fare mirë. Shqiptarëve të Kosovës do t’u duhet të durojnë edhe për pak kohë, kohë që nuk duhet të nënkuptojë vazhdimin e negociatave, por marrjen e një vendimi.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje për Kosovën, para se të kalojmë tek Shqipëria. Llogaritet se rreth 40 përqind të votusve morën pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë. Pse një pjesëmarrje kaq e ulët, megjithëse zgjedhjet u zhvilluan në një kohë shumë vendimtare për Kosovën dhe popullatën e saj.

Robert Hend: Së pari, duhet të them se nuk isha në Kosovë për të vëzhguar dhe për të vlerësuar nga afër zgjedhjet, por nga eksperienca e di që kur nuk ka ndryshime ose perspektivë për ndryshime dhe zhvillohen zgjedhje pas zgjedhjesh, kjo ndikon tek pjesëmarrja e elektoratit. Të gjithë njerëzit në Kosovë janë të përqëndruar në çështjen e statusit dhe kjo bën që ata të mos përqëndrohen në çështje të tjera, si për shembull se kush do ta ketë pushtetin në Kosovë dhe kjo çon në uljen e interesimit të publikut. Mendoj se statusi i papërcaktuar i Kosovës, i bën njerëzit të përqëndrohen vetëm në këtë aspekt dhe të mos mendojnë për gjëra të tjera, përfshirë këtu edhe zgjedhjet.

Zëri i Amerikës: Në të kaluarën, ju keni kritikuar ashpër mënyrën se si veprojnë partitë politike në Shqipëri, të cilat angazhohen në debate të ashpra për thuajse çdo çështje, më e fundit është shkarkimi i kryeprokurorit dhe emërimi i pasardhësit të tij. Sa ka ecur politika shqiptare në këtë drejtim. Si i vlerësoni ju marrëdhëniet pozitë-opozitë, duke pasur parasysh faktin se disa reforma të rëndësishme kërkojnë miratimin e të dyja palëve.

Robert Hend: Mendoj se ka pasur një farë përparimi për sa i përket shkallës së bashkëpunimit mes dy partive politike në Shqipëri. Nuk kam shumë fakte që ta mbështes këtë deklaratë që bëj, por e ndjej një gjë të tillë. Kjo ndodhta sepse Shqipëria shpreson shumë të marë ftesën për t’u antarësuar në NATO pranverën e ardhshme dhe të gjithë janë përqëndruar në përmbushjen e disa standarteve, që janë caktuar për të bërë të mundur pikërisht marjen e ftesës për antarësim në aleancën perëndimore. Ky mund të jetë ndoshta një fenomen i përkohshëm, megjithatë ka pasur një farë përparimi. Sidoqoftë atmosfera në Shqipëri vazhdon të jetë tepër e polarizuar dhe duhet të bëhet më shumë përparim. Lidhur me çështjen e kryeprokurorit, dua të them se nuk e njoh as zotin Sollaku e as pasardhësin e tij, zonjën Rama. Nuk jam as në dijeni nëse zoti Sollaku ishte apo jo këmbëngules sa duhej në ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ashtu siç është akuzuar. Nuk jam i sigurtë nëse zonja Rama do të jetë me këmbëngulëse ne këtë drejtim. Koha do ta tregojë nëse emërimi i saj ishte vendimi i duhur nga autoritetet shqiptare. Zyrtarët qeveritarë ngritën akuza kundër zotit Sollaku dhe më në fund morën vendimin për ta shkarkuar atë e zëvëndësuar me zonjën Rama. Bara tani bie mbi këta zyrtarë që të tregojnë se personi, që ata zgjodhën do të bëjë atë që nuk bëri zoti Sollaku dhe do ta bëjë këtë në rrugë ligjore. Shpresoj që kjo të ndodhë.

Zëri i Amerikës: Për një farë kohe është folur se në takimin e ardhshëm të NATO-s në pranverë të vitit të ardhshëm, Shqipërisë do t’i bëhet ftesa për antarësim. Ndërkohë zyrtarë të ndryshëm të Bashkmit Evropian dhe të NATO-s i kanë bërë thirrje Shqipërisë të përshpejtojë zbatimin e reformave të nevojshme dhe të rëndësishme për anëtarësim në institucionet evropiane. Sa përparim ka bërë Shqipëria drejt zbatimit të këtyre reformave?

Robert Hend: Nuk ka mbetur shumë kohë deri në takimin e NATO-s, por ndërkohë Shqipërisë i është dhënë një listë me masat dhe kërkesat, që duhet të përmbushë. E parë nga pikpamja e Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, reforma elektorale është një prej kërkesave kryesore që duhen përmbushur. Shqetësim më afat gjatë përbën fakti se sa konkret është përparimi. Shqipëria mund të përparojë shumë shpejt, por në të kaluarën ne kemi parë se vendi ka pësuar zbrapsje shumë lehtë. Mendoj se Shqipëria dhe populli shqiptar duhet të sigurohen se ata jo vetëm që bëjnë përparim të shpejtë, por ky përparim është real dhe nuk pëson zbrapsje. Kjo është diçka që më shqetëson mua si një njeri që ndjek zhvillimet në Shqipëri nga Uashingtoni dhe me të vërtetë dua që ky vend të jetë i sukseshëm në të ardhmen. Vullneti për të bërë përparimin e duhur ekziston dhe me të vërtet shpresoj që Shqipëria të përmbushë standartet për t’u antarësuar në institucionet evopiane, duke filluar me ftesën për anetaresim në NATO. Është e qartë se Shqipëria duhet të vazhdojë përparimin dhe të tregojë qartazi se zbatimi i reformave është domethënës dhe se reformat janë të përhershme. Një qëndrim i tillë nga ana e Shqipërisë do të ketë një ndikim të madh më shumë në Evropë se sa në Shtetet e Bashkuara. Kam përshtypjen se Shqipëria përballet me një problem imazhi në Evropë dhe mendoj se një demonstrim serioziteti gjatë muajve deri në takimin e Bukureshtit mund të ketë një ndikim të madh në bindjen e vendeve evropiane se Shqiperia mund të jetë një aleate dhe jo një barë për institucionet evropiane. Në se Shqipëria përqendrohet në këto aspekte, mundësite e saj për antarësin në NATO do të përmirësoheshin jashtëzakonisht. (ze)

XS
SM
MD
LG