Lidhje

Lajen: Komuniteti ndërkombëtar do të përpiqet ta zgjidhë statusin e Kosovës sa më shpejt


Xhejms Lajën, këshilltar i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Ballkanin thotë se, pavarësisht se nuk është arritur asnjë kompromis mes palëve serbe dhe shqiptare në negociata, komuniteti ndërkombëtar duket se do t’i japë zgjidhje çështjes së Kosovës që nga mesi i janarit deri në fund të shkurtit të vitit të ardhshëm. Zoti Lajën thotë se Perëndimi e kupton që kjo duhet të ndodhë sa më shpejt në mënyrë që të shmanget dhuna.

Zëri i Amerikës: Negociatat mbi të ardhmen e Kosovës përfunduan pa kompromis. Cili do të jetë hapi i ardhshëm?

Xhejms Lajën: Nuk mendoj se ka një përgjigje të saktë ende. Perëndimi duket se do t’i japë rrugë çështjes së Kosovës diku nga mesi i janarit dhe fundit i shkurtit. Gjatë asaj periudhe ata do të bëjnë përgatitjet për praninë e BE-së atje dhe shpalljes së pavarësisë në mënyrë të njëanshme, e shoqëruar nga njohja prej disa fuqive të mëdha evropiane dhe Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Po, nëse do të ketë negociata të tjera, megjithëse kjo nuk ka të ngjarë, cili do të ishte reagimi i shqiptarëve të Kosovës në këtë rast?

Xhejms Lajën: Është e vështirë të thuhet. Disa thonë se shqiptarët e Kosovës mund të përdorin dhunën, apo të shpallin pavarësinë e njëanshme, apo të marrin hapa pa mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Sipas anketave, rreth 40% e popullsisë së Kosovës thanë se nuk do të ishin në favor të shpalljes së njëanshme nëse Shtetet e Bashkuara nuk to ta mbështesnin Kosovën. Megjithatë, tani që afrohet 10 dhjetori, ka grupe ekstremiste në të dy anët që përpiqen ta acarojnë situatën. Në Serbi është Garda e Car Lazarit dhe në Kosovën veriore Armata Kombëtare shqiptare. Pra të dy palët po përpiqen ta provokojnë njëra-tjetrën që të bëjnë hapin e parë. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar e ka të qartë këtë prandaj po përpiqet ta zgjidhë çështjen sa më shpejt për të shmangur dhunën.

Zëri i Amerikës: Nëse do të ketë shpallje të njëanshme të pavarësisë, a mund t’i hapte kjo rrugë reagimeve të tjera si për shembull mundësisë që serbët të përpiqen ta ndajnë Kosovën?

Xhejms Lajën: Çështja e ndarjes është delikate, sepse pjesa veriore është ndarë de fakto, dhe serbët kanë qenë të hapur për këtë. Kjo u pa edhe nga mospjesëmarrja e tyre në zgjedhje. Pra Beogradi ka plane. Po nuk dihet nëse ndarja do të jetë e hapur, nëse komuniteti ndërkombëtar do të bëjë diçka për ta parandaluar atë, apo nëse shqiptarët do të reagojnë.

Zëri i Amerikës: Po Serbia, çfarë reagimesh mund të ketë? A mund të ketë sanksione politike apo ekonomike?

Xhejms Lajën: Serbia ka kërcënuar të marrë masa ndaj disa vendeve që njohin Kosovën, duke përfshirë dobësimin apo edhe prerjen e marrëdhënieve diplomatike. Nuk e dimë se deri ku mund të shkojë Beogradi. Për sa i përket marrëdhënieve tregtare me Kosovën, duhet të merret parasysh se Serbia eksporton një pjesë të madhe mallrash tek shqiptarët e Kosovës. Dhe nëse Serbia do të vinte një embargo tregtare kundër Kosovës, kjo do të dëmtonte së pari serbët në Kosovë të cilët mbështeten tek mallrat serbe dhe së dyti kompanitë në Serbi që bëjnë shumë para duke eksportuar në Kosovë. Pra ekziston një arsye e fortë ekonomike që të mos zbatohen sanksione të tilla.

Zëri i Amerikës: Nëse Kosova shpall pavarësinë dhe serbët përpiqen të ndahen. A ka të ngjarë të shohim lëvizje të ngjashme nga popullata shqiptare në Serbi?

Xhejms Lajën: Politikanët në Bujanovc dhe Preshevë kanë thënë se do ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore dhe pa armë. Ata mendojnë se çfarë të bëhet me veriun e Kosovës duhet të zbatohet edhe për jugun e Serbisë. Mendoj se Beogradi do ta trajtojë çështjen e ndarjes në këtë mënyrë. Veriu i Kosovës, sipas rezolutës 1244 është pjesë e Serbisë, pra është jugu që po shkel këtë rezolutë dhe po ndahet, duke ia lënë fajin Prishtinës.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, si e shikon popullsia e gjerë në Serbi çështjen e Kosovës?

Xhejms Lajën: Kosova është çështje shumë emocionale për serbët dhe shumë njerëz, qoftë edhe ato më liberalët pro-perëndimorë zemërohen shumë nga kjo, për shkak të rolit që luan Kosova në identitetin e tyre kulturor dhe kombëtar. Nga ana tjetër shumë njerëz duan që kjo çështje të mbyllet. Gazetat shkruajnë çdo ditë vetëm për Kosovën dhe mbledhjet qeveritare diskutojnë vetëm këtë çështje. Pra Kosova ka monopolizuar dialogun politik dhe në vend nuk po ndodh asgjë tjetër.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo që serbët nuk do të shkëmbenin, po ta themi kështu, Bashkimin Evropian me Kosovën?

Xhejms Lajën: Anketat tregojnë se kjo nuk do të ndodhë. BE-ja vazhdon të gënjejë veten se mund ta bindë Serbinë të heqë dorë nga Kosova në këmbim të përfitimeve të tjera. Por kjo nuk do të ndodhë. Nëse shumicës së serbëve u kërkohet të zgjedhin mes BE-së dhe Kosovës ato do të hiqnin dorë nga Brukseli.

XS
SM
MD
LG