Lidhje

Përfundon, pa ndonjë rezultat, raundi i fundit bisedimeve për statusin e Kosovës


Një përpjekje e fundit e ndërmjetësve për arritjen e një kompromisi për statusin e Kosovës përfundoi sot pa rezultat, ndërkohë që si Prishtina, ashtu edhe Beogradi, nuk lëvizën nga qëndrimet e tyre. Treshja ndërkombëtare nxori sot një deklaratë në përfundim të raundit të fundit të negociatave.

Megjithë mungesën e kompromisit, në deklaratë thuhet se Treshja është e mendimit që palët përfituan nga ky dialog intensiv, si një mundësi për të rivendosur besimin mes tyre dhe për të identifikuar interesat e përbashkëta, në veçanti objektivat për të ardhmen evropiane të rajonit.

Por për palën shqiptare, ky raund bisedimesh është edhe përfundimi i negociatave me palën serbe mbi këtë çështje:

"Procesi i negociatave me ditën e sotme ka përfunduar. Tani është koha për vendime, vendimi për pavarësinë e Kosovës, i cili jam i bindur se do të sjellë paqe, qëndrueshmëri dhe bashkëpunim në rajon. Si kryeministër i ardhshëm i Kosovës do të bëj ç’është e mundur për të njohur dhe garantuar në çdo mënyrë të drejtat e pakicave dhe në veçanti të serbëve. Kosova është atdheu i të gjithëve."- tha anëtari i Grupit të Unitetit, Hashim Thaçi

Pala serbe, ndërkohë, vazhdon trysninë për ta kthyer çështjen në Këshillin e Sigurimit, ku Rusia, aleate e Serbisë, ka kërcënuar t’i vërë veton çdo propozimi që nuk mbështetet nga Beogradi.

"Pas 10 dhjetorit do të mblidhet një sesion i Këshillit të Sigurimit, i cili duhet të marrë në shqyrtim të gjithë situatën. Ne kemi rezolutën 1244 e cila qëndron ligjërisht. Për sa kohë që kjo rezolutë nuk ndryshohet në një tjetër rezolutë, ajo mbetet një dokument që duhet zbatuar. Pra duhet të presim Këshillin e Sigurimit, sesionin, vendimin, rezolutën e çfarëdo tjetër që del nga kjo."- tha Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica.

Presidenti serb, Boris Tadiç shprehet se në mungesë të kompromisit, Serbia angazhohet të mos ndërmarrë veprime provokuese dhe i bën thirrje edhe palës shqiptare për qëndrim të moderuar.

"U përpoqëm të arrijmë një zgjidhje me kompromis. Një zgjidhje paqësore, kompromisi që të jetë e pranueshme nga të dyja palët. Në këtë këndvështrim ne jemi njerëz të përgjegjshëm, jemi një vend i përgjegjshëm, i cili po shfrytëzon instrumenta normale dhe shpresoj që as institucionet në Kosovë të mos marrin veprime të tilla."-tha Tadiç

Shqiptarët kanë dhënë sinjale se kanë në plan të shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Sinjale të tilla janë pasuar nga kërcënimet e Beogradit për një bllokadë të përgjithshme ekonomike dhe lëvizjesh për Kosovën.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu theksoi në përfundim të negociatave sot se Kosova nuk do të mbahet peng e kundërshtimeve të Beogradit:

"Kosova do ta marrë vendimin e saj pas një periudhe konsultimesh të nevojshme. Treshja ndërkombëtare, megjithë zhgënjimin që theksohet në deklaratën e saj për mungesën e një kompromisi, shprehet e kënaqur me zotimin e palëve për t’u frenuar në veprime që mund të provokojnë akte dhune."-tha zoti Sejdiu.

Tani palët janë në pritje të raportit që do të përgatisë Treshja dhe që do t’ua paraqesë Prishtinës dhe Beogradit javën e ardhshme, para se t’ia dorëzojë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon më 10 dhjetor.//lk

XS
SM
MD
LG