Lidhje

SIDA: Epidemia shtohet, 2,5 milion infeksione të reja gjatë vitit 2007


Sot (1 dhjetor) është Dita e Sidës. Ideja e caktimit të një dite të veçantë për të ndërgjegjësuar publikun mbi problemin e HIV-it dhe Sidës lindi në takimin e ministrave të shëndetësisë në vitin 1988. Rajoni nën-saharian mbetet zona e globit e prekur më rëndë nga Sida, por epidemia nuk ka lënë jashtë asnjë vend të botës.

Në Ditën e Sidës në mbarë botën zhvillohen aktivitete për ndërgjegjësimin e publikut mbi këtë sëmundje. Por në San Francisco këto aktivitete nuk kufizohen vetëm në një ditë të vitit. Në korrik të këtij viti, 25 mijë banorë të qytetit morën pjesë në ecjen vjetore për Sidën. Mark Cloutier u angazhua në organizimin e aktivitetit: "Këto aktivitete tërheqin vëmendjen për këtë sëmundje dhe ngrenë ndërgjegjësimin". Ato ndihmojnë edhe për grumbullim fondesh në mbështetje të personave të prekur nga virusi HIV, që shkakton Sidën.

Programe si ecja për Sidën, analiza gjaku falas dhe informacion për sëmundjen janë pjesërisht arsyeja e stabilizimit të numrit të personave që janë prekur nga ky virus, deklaron Organizata Botërore e Shëndetësisë. Megjithatë përllogaritet se 33 milionë vetë në mbarë botën janë të infektuar nga virusi HIV.

Këtë vit u shtuan 2 presje 5 milionë të infektuar të tjerë, ndërsa numrit të personave që kanë vdekur nga Sida iu shtuan edhe 2 milionë vetë. Tetë vende afrikane numërojnë afro 1 të tretën e të gjithë infektimeve dhe vdekjeve të reja nga HIV-i.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se infektimet janë shtuan në masën 150 për qind në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore gjatë 6 viteve të fundit. Të dhënat tregojnë se numri i personave që jetojnë me HIV është shtuar mbi 2 herë në Vietnam, kurse Indonezia ndeshet me ritmet më të shpejta të përhapjes së epidemisë.

Kombet e Bashkuara dhe qeveria kineze përllogarisin në statistika të publikuara para pak ditësh se në Kinë ka 700 mijë të infektuar, një shifër që përfaqëson më pak se 1 për qind të popullsisë, por raporti tregon se 30 deri në 50 milionë vetë janë të kërcënuar për arsye të aktiviteteve të rrezikshme. Progamet kundër HIV-it dhe Sidës kanë marrë më shumë fonde vitet e fundit.

Presidenti Bush i ka bërë Shtetet e Bashkuara vendin kryesor në botë në mbështetje të luftës kundër virusit."Ky investim ka dhënë rezultatin më të mirë – ka shpëtuar jetë", tha presidenti. Edhe sektori privat ka shtuar donacionet për programe, përkrah shumë qeverive të angazhuara në këtë betejë.

Qeveria tailandeze veçohet për përpjekjet e saj, si programet e posaçme për të luftuar njollën morale që i shoqëron personat e prekur nga virusi. Personat me HIV mund të marrin kredi të vogla për të filluar biznes me një ortak që nuk është i prekur nga virusi. Të dy përfitojnë nga kredia dhe ata që dikur u trembeshin personave të infektuar, bëhen tani klientë të biznesit të tyre.

James Wagoner është president i organizatës Veprimtarë për Rininë, e cila përqëndrohet në nxitjen e veprimtarive që kufizojnë rrezikun ndaj të rinjve. Çdo ditë, thotë ai, 6 mijë të rinj në botë infektohen me HIV: "Problemi kryesor është fakti që politikanët nuk e pranojnë se ekziston ky rrezik, nuk tregohen realistë për nevojën e informimit seksual të të rinjve. Ata nuk përfillin studime që tregojnë se të rinjtë që marrin informacion për praktikat e sigurta seksuale, për përdorimin e profilaktikëve, nuk janë më aktivë seksualisht, megjithë kundërshtimet që ngrenë qeveri dhe politikanë të ndryshëm".

Tema e Ditës Botërore të Sidës për këtë vit përqendrohet tek roli i udhëheqjes politike dhe sociale për të ndalur përhapjen e virusit HIV/ Sidës. Ironia qëndron në faktin se Uashingtoni, kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara që dhurojnë shumat më të mëdha në luftën kundër Sidës, përfaqëson përqindjet më të larta të infektimit dhe prekjes nga Sida në Amerikë. //rd//

XS
SM
MD
LG