Lidhje

Kosova në Ditën Botërore kundër Sidës - gjithsej 69 raste me virusin


Kosova radhitet në mesin e vendeve me numër të vogël të të infektuarve me virusin HIV/AIDS, por, sipas virusologut Safet Blakaj edhe numri i qytetarëve që kryejnë testet vullnetare të infeksionit me këtë virus është i ulët. Në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër AIDS-it, Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, numëron gjithsej 69 raste me virusin HIV/AIDS që nga rasti i parë i diagnostifikuar në Kosovë më 1986.

Ka më shumë se njëzet vjet që edhe Kosova është përballur me virusin HIV/AIDS, ndonëse në përmasa shumë më të vogla se shumë vende të botës. Megjithatë, kjo nuk është më një sëmundje që u ndodhë të tjerëve. Rasti i parë në Kosovë është diagnostifikuar më 1986 dhe prej atëherë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosove janë regjistruar 69 raste me HIV.

Sipas këtij instituti, nga pasojat e kësaj sëmundjeje kanë vdekur 27 te sëmurë. Virusologu Safet Blakaj, nga qendra Labirint, thotë se Kosova radhitet në mesin e vendeve me numër të vogël të të infektuarve me virusin Hiv Aids. “Kosova qëndron tek shtetet me numër të ultë të të sëmurëve me HIV/AIDS, por ky fakt nuk ishte dashur që të na gëzonte sepse rreziqet janë të mëdha. Ne kemi numër të vogël të të infektuarve, por, po ashtu kemi edhe numër të vogël të atyre që kryejnë testet për virusin HIV/AIDS, andaj është shumë i nevojshëm që funksionimi i qendrave për testim vullnetar të rritet, në mënyrë që njerëzit të verifikojnë statusin tyre të infeksionit”, thotë virusologu Safet Blakaj, i cili shton se “Numri i përgjithshëm i atyre që jetojnë me virusin HIV në Kosovë shënon 7 persona, ndërsa sipas statistikave, janë rreth 65 deri në 70 raste që nga diagnostifikimi i rastit të parë në Kosovë më 1986”.

Dita ndërkombëtare e luftës kundër AIDS-it, në Kosovë është shënuar me disa veprimtari më shumë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për rreziqet e kësaj sëmundjeje. E mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë,

Ministria e shëndetësisë e Kosovës ka organizuar në Gjakovë trajnime dyditëshe për profesionistët dhe grupet e caktuara që merren me parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtarë po mbështet një veprimtari disaditëshe me moton “Ndaloni Aids-In – Mbajeni Premtimin”, e përqendruar më shumë në ndërgjegjësimin e të rinjve. //rd//

XS
SM
MD
LG