Lidhje

Presidenti Bush thotë se Irani duhet të japë shumë shpjegime


Presidenti Bush thotë se Irani ka shumë shpjegime për të dhënë në lidhje me veprimtaritë e tij bërthamore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës njofton se presidenti Bush thotë se Teherani ka një zgjedhje të rëndësishme për të bërë:

Presidenti Bush po e vazhdon trysninë ndaj Iranit, pas një raporti të shërbimeve amerikane të zbulimit i cili thotë se Teherani kishte filluar një program të fshehtë për prodhimin e armëve bërthamore deri në fund të vitit 2003, kur vendosi ta pezullonte.

Presidenti Bush thotë se fakti që programi nuk vazhdon më nuk është aq i rëndësishëm sa zbulimi se një program i tillë ka ekzistuar dhe mund të rifillojë përsëri. Presidenti thotë se Irani, i cili nuk e ka pranuar asnjëherë se ka pasur një program armësh bërthamore, ka shumë shpjegime për të dhënë. Në të njëjtën kohë, ai thekson se qeveria iraniane duhet të bëjë një zgjedhje strategjike.

“Ata mund të dalin haptas para komunitetit ndërkombëtar për të sqaruar synimin e aktiviteteve të tyre bërthamore dhe të pranojnë plotësisht ofertën për t’i dhënë fund programit të pasurimit të uraniumit dhe të ulen në negociata, ose Irani mund të vazhdojë rrugën e izolimit, e cila nuk është në interes të popullit iranian.” - tha ai.

Presidenti i bëri këto komente në qytetin Omaha, të shtetit Nebraska, në fillim të vizitës së tij, gjatë së cilës do të paraqesë politikat e tij për kujdesin shëndetsor. Presidenti Bush tha se sekretarja e shtetit Kondolisa Rajs dhe këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Stefen Hadli kanë zhvilluar konsultime me zyrtarë nga Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia, që nga publikimi i raportit të shërbimeve amerikane të zbulimit për Iranin. Ai tha se të gjithë ishin dakord me nevojën për vigjilencë të vazhdueshme në këtë çështje.

“Këta vende e kuptojnë se çështja bërthamore e Iranit është dhe do të vazhdojë të jetë problem që duhet të trajtohet nga komuniteti ndërkombëtar.” - tha ai.

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar vendosjen e sanksioneve të reja të OKB-së kundër Iranit. Kritikët thonë se raporti i fundit i shërbimeve të zbulimit e zbut nevojën për masa të rrepta. Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad thotë se raporti mbështet deklaratën e Iranit se programi i tij është për përdorim civil dhe jo për armë.

Duke folur sot në Teheran, ai tha se Irani do të qëndrojë i patundur në të drejtën e tij për pasur teknologji bërthamore dhe nuk do të tërhiqet nga ky qëndrim.//lk

XS
SM
MD
LG