Lidhje

Qeveria e Kosovës ka dhënë 8 milionë euro për rindërtimin e kishave ortodokse


Zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Komisionit Evropian thanë sot në Prishtinë se gjatë vitit të ardhshëm do të rindërtohen trembëdhjetë objekte ortodokse të dëmtuara gjatë trazirave të dhunshme të muajit mars të vitit 2004. Gjithsej 34 objekte fetare janë dëmtuar apo shkatërruar tërësisht gjatë atyre trazirave të cilat lanë pas vetes 19 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Ema Karmajkëll Carmichael nga Komisioni për Rindërtim i cili përbëhet nga përfaqësuesit e UNMIK-ut, Komisionit Evropian, Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse serbe tha se deri tash janë përfunduar 17 projekte, ndërsa katër të tjerë do të përfundojnë deri në fund të vitit, ndërsa 13 të tjera do të vazhdojnë në vitin e ardhshëm me mbështetjen e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, që janë financuesit kryesorë. “Gjashtë milion euro janë ndarë deri tash dhe 1.8 milion janë zotuar për vitin e ardhshëm”, tha ajo, duke nënvizuar se ndihmesë të madhe pos këtyre fondeve është dhënë edhe nga Komisioni Evropian. Përfaqësuesi i këtij të fundit, Zurab Kachkatchishvilli tha se Komisioni Evropian është i përkushtuar të ndihmojë jo vetëm rindërtimin e këtyre objekteve të dëmtuara gjatë marsit të vitit 2004 por edhe objekteve tjera që janë pjesë e tërësisë së trashëgimisë kulturore të Kosovës. “Trashëgimia kulturore e Kosovës është trashëgimi e përbashkët kulturore evropiane”, tha ai duke u bërë thirrje të gjitha komuniteteve që të vlerësojnë këtë trashëgimi dhe të kujdesen për të.

Përfaqësuesi i UNMIK-ut, Fedor Klimtchouk tërhoqi vërejtjen se ka pasur një shtim të sulmeve ndaj objekteve fetare posaçërisht në ato të rindërtuara. “Rastet më të shpeshta kanë të bëjnë me vjedhjen e kulmeve prej plumbi por edhe akte tjera të vandalizmit”, tha ai. Kohë më parë, autoritetet në Kosovë urdhëruan mbylljen e depove për grumbullimin e metaleve për shkak të shtimit të vjedhjeve jo vetëm në objekteve fetare por edhe të objekteve industriale, posaçërisht pas rritjes së çmimit të plumbit ne bursat ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës ka ndarë një fond prej 50 mijë eurosh për përmirësimin e sigurisë përreth objekteve fetare. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore ishte një nga çështjet e negociatave gati dyvjeçare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të cilat përfunduan më 28 nëntor pa asnjë marrëveshje. Mbrojtja e kësaj trashëgimie është pjesë e veçantë e propozimit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari i cili parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. //rd//

XS
SM
MD
LG