Lidhje

Treshja dorëzon në OKB raportin për Kosovën


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon takohet sot në New York me treshen e Grupit të Kontaktit, e cila do t’i dorëzojë sot raportin tre ditë para afatit të 10 dhjetorit. Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm konfirmoi se raporti do t’i kalohet për shqyrtim Këshillit të Sigurimit. Ndërkohë, vetë zoti Ban Ki Moon ka shprehur shqetësim për mungesën e përparimit në procesin për statusin e Kosovës.

Zoti Ban Ki Moon foli dje para gazetarëve në New York, ku një ndër temat ishte edhe gjendja aktuale në procesin për përcaktimin e statusit të Kosovës. “Jam i shqetësuar për mungesën e përparimit. Do të takohem nesër me përfaqësuesit e treshes dhe pres që raporti të më dorëzohet gjatë këtij takimi. Unë do t’ia kaloj atë Këshillit të Sigurimit për udhëzime të mëtejshme. Tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm niset nesër në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në konferencën për ndryshimet e klimës dhe për këtë arsye kishte kërkuar ta merrte raportin para se të nisej.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, dhe qendra të tjera diplomatike perëndimore, si edhe vetë zoti Ban ki Moon po shprehen se nuk ka asnjë shpresë për kompromis, Ministri i Jashtëm Serb, Vuk Jeremiç u takua dje me zotin Ban Ki Moon dhe anëtarë të Këshillit të Sigurimit në New York, duke kërkuar pikërisht negociata të mëtejshme. “Nuk besoj se duhet shumë më tepër kohë për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Nuk e kam fjalën për shumë javë, apo muaj. Ajo që është kritike është që atmosfera në të cilin negociojmë të ndryshojë”, tha ai.

Zoti Jeremiç u përgjigj edhe për reagimin serb në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova: “Me përjashtim të forcës ushtarake, Serbia do të bëjë çdo gjë që është në pushtetin tonë diplomatik, ligjor, ekonomik dhe politik që të pengohet dhe të mos vihet në jetë ky vendim, të cilin e konsiderojmë si thyerja flagrante të Kartës së OKB-së, dhe të çdo rregulli mbi të cilin ekziston rendi modern ndërkombëtar”. Përfundimet e Treshes iu bënë të njohura Prishtinës dhe Beogradit në takimet që zhvilloi grupi me të dyja palët javën e kaluar. Në mungesë të një kompromisi raporti i saj pritet të përfshijë një analizë të gjendjes aktuale, alternativat e ndryshme që paraqiti secila palë, por që nuk arritën të çojnë në një marrëveshje për zgjidhjen e statusit. //rd//

XS
SM
MD
LG