Lidhje

Nikoll Kidman në filmin Busulla e Artë


The Golden Compass – Busulla e Artë, është një film dramatik në linjat e fantazisë. 12 vjeçarja Lira Belacqua sfidon regjimin në fuqi. Me shpirtin e saj të lirë, ajo është e vetmja që mund të deshifrojë Busullën e Artë, një instrument i lashtë që tregon të vërtetën nga gënjeshtra. Filmi bazohet në trilogjinë me autor Philips Pullman dhe që titullohet “His Dark Materials”.

Në një botë të ngjashme me atë të Anglisë viktoriane dhe me nuanca fantazmagorie të Zhyl Vernit, askush nuk guxon të verë në pikëpyetje autoritetin e Magisteriumit. Ky regjim teokratësh konservatorë nuk e lejon vullnetin e lirë. Por janë dy grupe që përpiqen për lirinë: disa akademikë dhe disa fëmijë me një shpirt krejt të shpenguar dhe fëmijnor. Lira është një prej këtyre fëmijëve. Ashtu si edhe fëmijët e tjerë, shpirti i saj i lirë, ose “demoni”, siç e quajnë ata, është në gjendje të ndryshojë formën e gjërave.

Por ndërkohë që fëmijët rriten, demoni i tyre kthehet në një lloj kafshe i cili pasqyron fëmijën që është rritur. Lira është vajzë me vullnet, kurioze dhe e zgjuar. Ajo është e destinuar të ndryshojë botën. Ajo zotëron alithiometrin, një busull e artë që tregon të ardhmen.

Zonja Coulter, një grua e fuqishme dhe e ftohtë është agjentja e Magisteriumit. Ajo përpiqet t’ja marrë Lirës busullën e artë. Ajo gjithashtu rrëmben fëmijë të cilët i dërgon në një vend të Arktikut ku bën eksperimente të rrezikshme me ta. Duke u hequr demonët, ajo përpiqet t’u shkulë shpirtin e lirë. Lira shpëton nga kthetrat e zonjës Coulter dhe niset për nëç veri që të shpëtojë shokët e saj. Një grup endacakësh, një aeronaut dinak, një ushtri shtrigash dhe një ari polar gjigand, premtojnë ta mbrojnë atë gjatë udhëtimit të rrezikshëm.

Ian McKellen është zëri i gjëmues dhe autoritar që luan ariun e madh, i cili është konceptuar me kompjuter. Përballë ariut qendron vogëlushja Dakota Blue Richards që luan rolin e Lirës.

Aktori Daniel Craig, i njohur si një "James Bond," i ri dhe plot energji luan rolin plot ndjeshmëri dhe inteligjencë të Lordit Asriel, babait të Lirës që është edhe armik i regjimit. Nicole Kidman është magjepsëse dhe e ftohtë në rolin e zonjës Coulter. Ajo thotë se ky rol ishte një sfidë për të. "Mu desh të përpiqesha për të kuptuar motivin që e shtyn zonjën Coulter të bëjë atë që ajo mendon se është e drejtë me shpresën se do të gjeja brenda saj një farë karakteri njerëzor."

"Busulla e Artë" është një film epik me një lojë kinematografike mbresëlënëse, me efekte speciale të mrekullueshme dhe me substancë intelektuale. Por ashtu si edhe trilogjia e Philip Pullman-it mbi të cilën bazohet, ai është kritikuar nga organizatat katolike si një film ateist që nuk përshtatet për fëmijët. Megjithatë, filmi nuk e nënvlerëson fenë dhe brenda tij nuk ka asnjë referencë fetare. Ai më tepër vë shkencën dhe arësyen kundrejt besimit të verbër. Megjithëse le mjaft pyetje pa përgjigje dhe ka nevojë për një mbyllje më të mirë, filmi është mjaft i begatë nga ana vizuale dhe nuk mund të lihet pa u parë në këtë stinë festash. //rd//

XS
SM
MD
LG