Lidhje

Departamenti i Shtetit rithekson mbështetjen për planin Ahtisari


Departamentit amerikan i Shtetit nxori sot një deklaratë me komentet e Drejtorit të Zyrës për Marrëdhënie me Shtypin në këtë Departament, Gonzalo Gallego, lidhur me negociatat e fundit mbi statusin e Kosovës. Në deklaratë thuhet se gjatë negociatave të fundit, treshja e negociatorëve nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia shqyrtoi çdo opsion realist për një marrëveshje dhe siç u shprehën vetë ata, “nuk lanë gur pa lëvizur” në kërkim të një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët.

Mandati i Treshes përfundoi më 10 dhjetor dhe tani raporti i është dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhjen që udhëheqësit nga Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje mbi statusin e ardhshëm të Kosovës në këto negociata.

Në fillim të periudhës intensive të negociatave, theksohet në deklaratë, Uashingtoni u shpreh se nëse palët nuk do të arrinin marrëveshje deri më 10 dhjetor, atëherë plani i parashtruar nga i dërguari i posaçëm Marti Ahtisari, përfshirë rekomandimet e tij për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën dhe masa për mbrojtjen e pakicave, ishin rruga më e mirë përpara. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i përmbahen qëndrimit se zbatimi i planit Ahtisari do t’i shërbejë qëndrueshmërisë në rajon dhe do të ndihmojë si Serbinë ashtu edhe Kosovën të përparojnë në rrugën e integrimit euro-atlantik.

Gjatë javëve të ardhshme Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë nga afër me partnerët ndërkombëtarë për ta zgjidhur këtë çështje. Populli i Kosovës dhe i rajonit ka nevojë urgjente për sqarimin e të ardhmes së tyre, theksohet në deklaratën e zyrtarit të Departamentit të Shtetit. //ad//

XS
SM
MD
LG