Lidhje

BE pranë një qendrimi unik për pavarësinë e Kosovës


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të mbledhur në Bruksel, thonë se janë pranë një qendrimi të përbashkët në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë, udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës kanë në plan të fillojnë menjëherë bisedimet për shkëputjen nga Serbia, duke thënë se pavarësia do të shpallet para muajit maj të vitit të ardhshëm.

Përpjekjet për të ulur tensionet ndërkohë që Kosova po shkon drejt shpalljes së pavarësisë nga Serbia janë një nga temat kryesore në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian në Bruksel.

27 ministrat e vendeve të Bashkimit Evropian janë takuar me dyer të mbyllura me të dërguarin e BE-së për Kosovën, Wolfgang Ischinger, për të diskutuar se si të parandalohet dhuna në Kosovë, në qoftë se shqiptarët shpallin në mënyrë të njëanëshme pavarësinë.

Vendet e Bashkimit Evropian kanë qënë të ndara për çështjen e njohjes së Kosovës, nëse ajo shpall pavarësinë nga Serbia në mënyrë të njëanëshme.

Spanja dhe vende të tjera me rajone autonome kanë frikë se nëse e njohin Kosovën, ajo do të shërbente si precedent ndërkombëtar për nxitjen e lëvizjeve separatiste gjetkë.

Disa vende janë të shqetësuara lidhur me ndikimin e pavarësisë së Kosovës për stabilitetin delikat në vende të tjera të Ballkanit, siç është për shembull Bosnja.

Në momentin e mbërritjes në Bruksel, zoti Ischinger u shpreh për rëndësinë e një qendrimi konsensual në Bashkimin Evropian, të nevojshëm për marrjen e vendimeve të nevojshme.

"Pres që të zhvillohet një diskutim konstruktiv mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, me synimin për ta vënë BE-në në rrugën e konvergjimit, në mënyrë që të merren në kohën e duhur vendimet e nevojshme për statusin e ardhëshëm të Kosovës, pasi Këshilli i Sigurimit ta dikutojë çështjen këtë javë”.

Bashkimi Evropian është i vendosur për të parandaluar shpërthimet ndërkohë që në Ballkan janë shtuar tensionet lidhur me statusin e Kosovës, pasi bisedimet e ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët u mbyllën dy javë më parë pa arritur ndonjë kompromis për zgjidhje.

Ministri i Jashtëm Britanik, David Milliband, tha se është me rëndësi jetësore që BE-ja të udhëheqë përgjigjen ndërkombëtare për këtë çështje.

"Kosova është në Evropë dhe për mendimin tim është me rëndësi esenciale angazhimi evropian për të udhëhequr përgjigjen ndërkombëtare tani që e kaluam afatin e 10 dhjetorit. Mendoj se është e qartë për të gjithë se megjithë përpjekjet e mëdha të tojkës gjatë katër muajve të fundit, qendrimet e kundërta të palëve nuk arritën të kapërcehen dhe tani Bashkimi Evropian duhet të përmbushë përgjegjësitë e veta ndaj të dy palëve, si ndaj kosovarëve ashtu edhe ndaj serbëve, po ashtu të dy palët kanë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre për këtë çështje”.

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, mbërriti në takimin e BE-së duke paralajmëruar se ndarjet e brendëshme kanë patur pasoja shkatërrimtare në të kaluarën.

"Rreziku është i madh. Ne jemi përballë prirjes për prishjen e stabilitetit në gjithë Ballkanin, prandaj nuk duhet të përsërisim gabimet e viteve 90-të, kur Bashkimi Evropian ishte i ndarë dhe nuk vuri re disa nga detajet kritike, prandaj ne kemi përpara një punë që kërkon vemendje ndaj hollësive”.

Shefi i politikës së jashmte të Bashkimit Evropian, Javier Solana, u shpreh me optimizëm se BE-ja do të jetë e bashkuar dhe do të përmbushë pëgjegjësitë që i takojnë.

"Ne do të shkojmë përpara dhe për mendimin tim qendrimet brenda Bashkimit Evropian po afrohen. Mendoj se ne do të jemi në gjendje të arrijmë në një qendrim të përbashkët dhe do të përmbushim përgjegjësitë tona. Ne kemi një mision për përfaqësinë ndërkombëtare në Kosovë dhe jemi angazhuar gjithashtu për policinë dhe gjyqësorin, si dhe për elementët e ekonomisë. Gjithësesi, mendoj se ne do t’i përmbushim përgjegjësitë tona”.

Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës kanë thënë më parë se nuk do ta shpallin pavarësinë nga Serbia pa miratimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Serbia, e mbështetur nga Rusia është shprehur kategorikisht kundër pavarësisë së Kosovës. Shqiptarët e Kosovës kanë thënë së fundi se do ta shpallin pavarësinë, ndoshta në fillimt të vitit 2008.

Ndërmjetësit do të informojnë Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon sot në New York për bisedimet që dështuan të arrinin në marrëveshje. Më tej, Këshilli i Sigurimti i OKB-së do të vendosë për hapin e ardhshëm. //iç//

XS
SM
MD
LG