Lidhje

Del Ponte: Serbia qëllimisht nuk po i arreston Karaxhiçin dhe Mlladiçin


Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, e cila po largohet nga ky post, akuzoi Serbinë se qëllimisht nuk po i arreston dy personat kryesorë të akuzuar për krime lufte, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç. Ajo i bëri thirrje Bashkimit Evropian t’i mohojë Beogradit anëtarësimin në rast se ai nuk bashkëpunon.

Carla del Ponte tha dje në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara se komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Serbinë që ajo të gjejë dhe të arrestojë dy të akuzuarit e rëndësishëm që ende janë në gjendje të lirë, ish udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe ish-shefin e ushtrisë, Ratko Mlladiç.

Të dy këta janë akuzuar nga gjykata e Hagës për krime lufte, duke përfshirë edhe gjenocid ndaj muslimanëve të Bosnjës gjatë luftës në këtë vend, në vitet 1992-1995, pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Dje, në një konferencë shtypi, zonja Del Ponte tha se ajo largohet pas 8 vjetësh nga detyra pa e përfunduar misionin e saj.

“Është një zhgënjim i madh. Edhe sot, në qoftë se anëtarët e Këshillit të Sigurimit i hedhin një vështrim punës që është bërë, 91 të akuzuar dhe të transferuar në Hagë, është vërtetë e rëndësishme. Por, pas Sllobodan Millosheviçit, përgjegjësit kryesorë për krime të kryera në ish-Jugosllavi ishin Karaxhiçi dhe Mlladiçi.”

Këshilli i Sigurimit e krijoi Gjykatën e Hagës në vitin 1993 për të gjykuar mizoritë e shumta në luftrat e Ballkanit. Zonja Del Ponte tha se Këshilli duhet të vazhdojë ta mbajë gjykatën derisa Mlladiçi dhe Karaxhiçi të arrestohen dhe të gjykohen.

“Këshilli nuk duhet t’i mbyllë dyert e gjykatës pa u kapur Karaxhiçi dhe Mlladiçi. Pra, është në duart e Këshillit të Sigurimit nëse kjo gjykatë do të jetë një sukses ose jo në zbatimin e drejtësisë ndërkombëtare.”

Zonja Del Ponte tha se ajo beson që Mlladiçi do t’i dorëzohet drejtësisë vetëm në qoftë se Bashkimi Evropian arrestimin e tij e vë si kusht për anëtarësimin e Serbisë.

Zonja Del Ponte largohet nga gjykata në fund të dhjetorit. Ajo do të zëvendësohet nga belgu Serzh Bramertz. //ii

XS
SM
MD
LG