Lidhje

Vuk Antonijevic: Qëllimi i zyrës të ndihmojë serbët


Vëzhguesit e çështjeve ballkanike e shikojnë si një lëvizje provokuese dhe si një pretendim të ri teritorial hapjen e zyrës serbe në Mitrovicë. Kryetari i zyrës, Vuk Antonijevic, tha se serbët e Kosovës janë të përgatitur për të gjitha mundësitë, pasi shpallja e pavarësisë do t’i trembte pakicat. Por shqiptarët përpiqen që qyteti të vihet nën kontrollin e institucioneve të Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar 8 vjet që kur Kosova u vu nën administrimin ndërkombëtar, qyteti i Mitrovicës mbetet personifikimi i një vendi të ndarë, ku dy komunitete janë kundër njeri tjetrit.

Ky qytet në veri të Kosovës ka qënë shpesh skenë e dhunë që ka kapur mes dy zjarresh paqeruajtësit e NATO-s.

Shqiptarët që jetojnë në jug të qytetit dhe serbët që jetojnë në veri janë pothuajse krejtësist më vete, një ndarje që mund të thellohet edhe më tej ndërkohë që pavarësia e Kosovës është në rendin e ditës të diplomacisë evropiane.

Vendet e Bashkimit Evropian, nuk arritën të binin dakord dje në takimin e tyre në Bruksel për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

BE-ja e shikon unitetin lidhur me statusin e Kosovës si një faktor jetësor për këtë organizëm 27 vendesh dhe është e mendimit se po nuk doli me një qendrim unik për këtë çështje besueshmëria e saj në Ballkan do të dobësohej

Në Kosovë, shqiptarët dhe serbët janë në pozicione diametralisht të kundërta. Shqiptarët synojnë ta vënë qytetin nën kontrollin e institucioneve të Kosovës.

"Ne duhet që jemi të bashkuar. Ne nuk pranojmë asgjë më pak se sa pavarësia e Kosovës. Ne nuk do të lejojmë që Mitrovica të mbetet e ndarë si tani. Ne do të luftojmë që qyteti ynë, Mitrovica jonë, të jetë e bashkuar”.

Po aq i vendosur sa Bajram Krasniqi, është edhe banori tjetër i Mitrovicës, Sabit Ademi, që jeton në veri.

"Trupat e NATO-s janë përgjegjëse për sigurimin në veri dhe jo policia e Kosovës, por unë dhe familja ime kemi vendosur që qendrojmë këtu për sa kohë që të mundemi”.

Me një lëvizje provokuese, që shikohet si një pretendim i ri teritorial, ministri serb për Kosovën, Slobodan Samardzic, hapi zyrën serbe në Mitrovisë, megjithë kundërshtimin e UNMIK-ut.

Kryetari i zyrës, Vuk Antonijevic, tha se serbët e Kosovës janë të përgatitur për të gjitha mundësitë, pasi shpallja e pavarësisë do t’i trëmbte pakicat.

"Qëllimi i zyrës tonë është të ndihmojmë popullin serb, veçanërisht gjatë kësaj periudhe që ne e dimë se do të shpallet pavarësia e Kosovës. Ne po përgatitemi për të gjitha mundësitë, përfshirë edhe se çfarë mund të ndodhë kur të zgjidhjet çështja e statusit. Njerëzit tanë kanë nevojë të kenë një zyrë ku të shkojnë për t’u këshilluar se çfarë të bëjnë dhe ku të shkojnë”.

Uashingtoni ka lënë vazhdimisht të kuptohet se është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës nga Serbia, duke i hapur kështu rrugën një përplasjeje me Rusinë, kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ta marrë në shqyrtim këtë çështje më 19 dhjetor. //iç//

XS
SM
MD
LG