Lidhje

Topalli në Nju Jork: Autoritetet e larta të OKB-së optimiste për çështjen e Kosovës


Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ndodhet në Nju Jork ku po merr pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë për të Drejtat e Fëmijëve, të organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, zonja Topalli është takuar me ambasadorë të vendeve të Këshillit të Sigurimit, për çështjen e statusit të Kosovës. Zonjën Topalli e kemi sot të ftuar për një intervistë nga studjo e jonë në Kombet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zonja Kryetare, ju sapo jeni takuar sot me ambasadorin rus Vitali Çurkin. Russia ka thënë këto ditë se do të kërkojë në Këshillin e Sigurimin anulimin e vendimit të shpalljes së pavarësisë së njëpanshme nga Kosova, në se kjo ndodh. Çfarë elementësh do të veçonit nga biseda që patët sot me ambasadorin rus?

Jozefina Topalli: Në fakt, unë gjatë këtyre dy ditëve unë kam shfrytëzuar një ngjarje shumë të rëndësishme që zhvillohej këtu në Kombet e Bashkuara dhe konkretisht, në Asamblenë e Përgjithshme për të drejtat e fëmijëve, për të takuar ambasadorët e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Dje kam patur mundësinë që të takoj ambasadorin e Kinës këtu në Këshillin e Sigurimit, takim i cili vjen pas një vizite zyrtare që kam patur në Kinë, një vizitë shumë e rëndësishme, në mënyrë të veçantë, e lidhur me statusin e Kosovës; kjo temë u diskuta edhe me ambasadorin kinez; në takim ata përsëritën qëndrimin e tyre, që angazhohen në një politikë, e cila është në funksion të paqes dhe stabilitetit në rajon; pas kësaj, kam patur një takim me zëvendësambasadoren e Britanisë, e cila mbulon çështjen Kosovës, shumë aktive dhe shumë pro planit Ahtisaari, një bisedë të cilën unë e konsideroj shumë të rëndësishme. Dje, po ashtu kam patur rastin të bisedoj edhe me autoritete të larta këtu në Kombet e Bashkuara, për çështjen e Kosovës, ndërsa sot, pata një takim me ambasadorin rus në Këshillin e Sigurimit, Vitali Çurkin, me të cilën ndamë pikëpamjet tona; natyrisht, pasi ai përsëriti pozicionin e Rusisë, për të parë mundësinë e vazhdimit të negociatave, unë shpreha atë që është qëndrimi ynë i njohur, i cili është në fakt një realitet, që ka të bëjë me shqetësimin e madh, me rrezikun e madh, që shtyrja e shpalljes së pavarësisë mund të sjellë në rajon. Sigurisht, që unë ju drejtova jo vetëm si shqiptare, por si një person që vjen nga rajoni, që njoh mirë rajonin, i cili ka kaluar momente tragjike dhe lufte; është një moment që kërkon integrimin dhe që natyrisht, se integrimi i vendeve si Shqipëria, Kosova dhe Serbia në BE nuk mund të vazhdojë, duke patur konflikte të ngrira brenda vetes. Natyrisht, që kjo ishte tema që ne diskutuam. Ai dëgjoi me shumë vëmendje, natyrisht që ai shprehu pozicionin e vendit të vet; megjithatë, unë mendoj se dialogu, sqarimi, paraqitja e pozicioneve përkatëse të perspektivës, si dhe ajo që ne të gjithë e shohim, si një moment, kur nuk mund të ketë më vonesa, shpalljen e pavarësisë, ishte fillimi dhe refreni gjatë të gjithë bisedës, jo vetëm me ambasdorin rus, edhe me ata të mëparshëm, ndërkohë që tani pres të takohem me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara këtu në OKB.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara i kanë qëndruar pikëpamjes se plani Ahtisaari, mbetet alternativa më e mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Nga diskutimet që patët me ambasadorët e vendeve të tjera të Këshillit të Sigurimit, ju përmendët për shembull zëvendëssekretaren britanike, cilat ishin qëndrimet e tyre për planin Ahtisaari?

Jozefina Topalli: Në fakt, britanikët nuk kanë patur ndonjëherë kundërshtim ndaj planit Ahtisaari, por ajo që ndjehej në takimet me autoritete të larta, të rëndësishme këtu, përfshirë Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të OKB-së, meqenëse Sekretari i Përgjithshëm ndodhet për një vizitë në Bali, është fakti se plani Ahtisaari ka marrë dhe po merr në fakt, mbështejtjen e shumicës së vendeve. Vetë Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e OKB-së, duke përsëritur faktin se Ahtisaari është në fakt i dërguari i vetë Sekretarit të Përgjithshëm dhe përcjell mënyrën e mendimit të tij, është një shenjë optimizmi. Në fakt, unë kam gjetur shumë optimizëm tek të gjitha autoritetet e larta të OKB-së, që merren me çështjen e Kosovës, për pavarësinë dhe për një ndërgjegjësim të qartë të përcjellë, se shtyrja e procesin të pavarësisë së Kosovës, është një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zëri i Amerikës: Zonja Topalli, vizita juaj në Nju Jork është përqëndruar, siç thatë dhe ju pak më parë, edhe tek Takimi për të Drejtat e Fëmijëve. Sot në Shqipëri, organizata “Save the Children”, në një raport të fundit vinte në dukje se varfëria është burimi kryesor për vështirësitë e fëmijve në jetë. Me çfarë vizioni dolët ju nga takimi i OKB-së për të përmirësuar gjendjen në vendin tuaj, në Shqipëri?

Jozefina Topalli: Këtu u bë një bilanc i punës pas 5 viteve nga Asambleja e Përgjithshme që është mbajtur në 2002-in, për një botë më të përshtatshme për fëmijët dhe unë pata rastin që të flas në Asamblenë e Përgjithshme, në seancën plenare dhe të paraqes, se cilat janë masat dhe cilat janë ligjet, cili është plani i veprimit që në Shqipëri po realizohet, për të bërë një botë më të përshtatshme për fëmijët në vend, një botë e cila ka lidhje me arsimimin e tyre, me shëndetin e tyre, që ka lidhje me mirëqenien e tyre. Dhe në fakt, po të shohim, se qoftë në fushën e edukimit, por edhe në atë të shëndetësisë, në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, ka një vëmendje, ka një përqëndrim, ka një fokusim të veçantë, në bazë të nënshkrimit të deklaratës që Shqipëria ka bërë në Kombet e Bashkuara, për t’iu bashkëngjitur edhe “Millenium Challenge”, sepse ato nuk ndahen nga njera tjetra, por edhe temës për një botë më të përshtatshme për fëmijët. Dhe në fakt, numri i fëmijëve që ndjekin që klasën e parë të shkollës fillore dhe numri i fëmijëve që shkojnë nga gjimnazi në universitet, ka një rritje në përqindje, gjë e cila u përcoll edhe në Asamblenë e Përgjithshme. Sigurisht, që në Shqipëri ka ende varfëri; varfëria vërehet në të gjitha vendet dhe në të gjitha diskutimet që patëm dje në Asamblenë e Përgjithshme, është një ndër shkaqet që e vështirëson dhe i bën më vulnerabël fëmijët, që janë pjesa më delikate, por që në fakt duhet të jenë fokusimi i të gjitha politikave tona.

Zëri i Amerikës: Të qëndrojmë shkurtimisht tek çështja e reformave në Shqipëri, në kushtet kur vendi pret të marrë një ftesë për në NATO në muajin prill të vitit të ardhshëm. Reforma elektorale: në çfazë ndodhet ajo? A do të kërkojë maxhoranca ndryshime rrënjësore të sistemit elektoral dhe kodit elektoral?

Jozefina Topalli: Unë mendoj se detyrimet e Shqipërisë janë për të vendosur standartet në zgjedhjet e ardhshme. Dhe standartet kanë lidhje me tre elementë, të cilat janë, e para, pasaporta biometrike, regjistri elektronik dhe ID-ja. Në lidhje me këto tre elemente, që janë baza e vendosjes së standarteve, puna po ecën mbarë dhe të gjithë jemi optimistë, që kjo do të mbyllet brenda vitit të ardhshëm. Ndërsa diskutimet e tjera që kanë të bëjnë me sistemin elektoral, mund të them se kjo nuk është çështej standarti, kjo është një çështje e një vullneti politik të partive të ndryshme, të cilat kanë të drejtën të shfaqin pikëpamjet e tyre dhe interesat e tyre, në lidhje me perspektivën e tyre për të ardhmen. Por gjithësesi, dua ta theksoj se kjo nuk ka të bëjë me standartet dhe me detyrimet që ne kemi me angazhimet tona edhe për të marrë ftesën në NATO, por edhe për të ecur përpara në rrugën e perspektivës tonë evropiane.

Zëri i Amerikës: Të kalojmë pak tek reforma në sistemin e drejtësisë. Për shkak të largimit të Prokurorit të Përgjithshëm opozita ka thënë se nuk sheh mundësi bashkëpunimi në këtë fushë. Çfarë hapash do të merrni ju si maxhorancë për rivendosjen e urave të bashkëpunimit me opozitën, pikërisht për reformën në drejtësi?

Jozefina Topalli: Unë personalisht jam shumë optimiste, që në ditët e ardhshme do të kemi mundësinë, që të fillojmë realisht të diskutojmë mbi reformën në drejtësi. Zërat që nganjëherë në mënyrë spontane, por pa një vendim të caktuar, shfaqen në media, unë mendoj se janë periferike, por përkundrazi, në ditët e ardhshme do të shohim të konstatohet edhe nga të tjerë, që në fakt, kemi mundësi, që jo vetëm që të vendosim këto ura, sepse këtu ura në fakt ekzistojnë, por që të kemi mundësi që të fillojmë realisht nga puna për reformën në drejtësi, si në Prokurori, edhe në sistemin e gjykatave, për të realizuar reformën në drejtësi.

XS
SM
MD
LG