Lidhje

Lufta kundër virusit H5N1 në konferencën e Nju Delhit


Tetë vende së bashku me Komisionin Evropian, dega ekzekutive e Bashkimit Evropian, premtuan më shumë se 600 milionë dollarë për luftën kundër përhapjes së virusit H5N1 të gripit të shpendëve dhe për përgatitjet për të luftuar një epidemi të mundshme humanitare. Shtetet e Bashkuara dhanë shumën më të madhe, gati 195 milion dollarë.

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për virusin e gripit të shpendëve John Lange njoftoi angazhimin amerikan në ditën e fundit të një konference tre-ditore në Nju Delhi të Indisë.

Në konferencë morën pjesë delegatë dhe ministra nga 111 vende. Angazhimi i këtij viti e çon kontributin e përgjithshëm amerikan në gati 630 milion dollarë që nga viti 2005.

Fondet amerikane do të mbështesin përpjekjet e organizatave ndërkombëtare, grupeve jo-qeveritare dhe të tjera, për të shtuar përgatitjen globale dhe përgjigjen ndaj një epidemie të mundshme të virusit të gripit të shpendëve tek njerëzit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që kur u shfaq në vitin 2003 virusi i gripit të shpendëve në Azi, gjashtë vende kanë patur raste të virusit dhe më shumë se 200 njerëz në 12 vende kanë vdekur prej tij. Kërcënimi është se ky virus mund të ndryshojë strukturën e të shkaktojë një epidemi më të madhe.

Doktor David Nabarro është kordiantor i sistemit të Kombeve të Bashkuara për gripin e shpendëve. AI thotë se angazhimi financiar është i rëndësishëm, por po kërkohet edhe një vendosmëri afatgjatë për të përmirësuar shëndetin e kafshëve dhe sigurinë e shëndetit njerëzor përtej këtyre premtimeve të bëra në këtë konferencë dhe për një asistencë zhvillimi afatgjatë në këto zona.

Pjesëmarrësit në konferencë njoftuan përparim në luftën kundër virusit të gripit të shpendëve. Më shumë se 90 përqind e 143 vendeve të anketuara kanë përgatitur plane në rast të një epidemie. Megjithëse kërcënimi vazhdon, kapaciteti i diagnostikimit dhe gjetja e gjurmëve të virusit të gripit të shpendëve është përmirësuar. Vendet janë më mirë të përgatitura sot sesa një vit më parë për një epidemi të mundshme tha doktor Nabarro. Megjithatë përgatitja nuk është aq e gjerë dhe gjithpërfshirëse sa ç’duhet të ishte. Përfaqësuesi i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për virusin e gripit të shpendëve John Lange tha se ndërsa është shënuar përparim, duhet bërë më shumë për të përmirësuar kapacitetin e sistemeve shëndetësore për të përballuar kërcënimet e virusit dhe mundësinë e një epidemie të tij. //rd//

XS
SM
MD
LG