Lidhje

Vazhdon në Bali, pa marrëveshje, konferenca për ndryshimet klimatike


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon ka në plan të shkojë përsëri në ishullin e Balit, në Indonezi, ku po zhvillohet takimi ndërkombëtar për ndryshimet klimatike dhe ku ende nuk po arrihet dot një marrëveshje e re për ngrohjen globale.

Zoti Ban ishte sot për një vizitë në Timorin Lindor, ku i tha gazetarëve se konferenca e Balit nuk duhet të dështojë. Ai tha se do shkojë përsëri në Bali nesër, në se nuk arrihet një marrëveshje më parë. Për më tepër se një javë, delegatët në konferencë kanë patur mosmarrëveshje mbi çështjen, se si duhen pakësuar gazet e dëmshme, që shkaktojnë efektin serrë.

Vendet evropiane u kanë bërë thirrje vendeve të pasura t’i pakësojnë me 25-40 për qind gaze të tilla, deri në vitin 2020, por qeveria amerikane e kundërshton me forcë këtë plan. Presidenti Bush thotë se nuk është e drejtë t’u kërkohet vendeve të industrializuara pakësimi i gazeve, duke përjashtuar ekonomitë e Kinës dhe Indisë, që po fuqizohen së tepërmi.

Indonezia, ku zhvillohet konferenca e klimës, ka ofruar një kompromis, që do t’u jepte kohë vendeve të pasura të pakësojnë nivelin e këtyre gazeve, deri në vitin 2050. Zyrtari më i lartë i OKB-s për klimën, Ivo de Boer, thotë se po zhvillohen negociata intensive, për arritjen e një marrëveshjeje.//lk

XS
SM
MD
LG