Lidhje

Topi: Pavarësia e Kosovës mund të realizohet brënda një periudhe shumë të shkurtër


Në Shqipëri, presidenti Bamir Topi thotë se ka respektuar procedurat dhe standartet në shkarkimin dhe zëvendësimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, presidenti Topi tregon me detaje arsyet që e çuan në marrjen e vendimit që shkaktoi debate të forta. Ai komenton mbi marrëdhëniet e tendosura me opozitën, nismën për reformën në drejtësi dhe jep vlerësimet për çështjen e Kosovës, pavarësia e së cilës, sipas kreut të shtetit shqiptar, do të mund të realizohet brënda një periudhe shumë të shkurtër kohore.

Zëri i Amerikës: Zoti President së pari ju falenderoj për mundësinë për të zhvilluar këtë bisedë me ju. Jeni tashmë në muajin e pestë në detyrën e lartë të kreut të shtetit. Sa e vështirë ka qenë për ju shkëputja nga pozicioni i një drejtuesi të një force kryesore prej disa vitesh në pozitat e figurës që duhet të mbajë balancën mes palëve?

Presidenti Topi: Besoj që nuk ka qenë e vështirë. Këtë bilanc mund ta bëj fare mirë edhe sot, kur ende nuk janë mbushur pesë muaj nga momenti i zgjedhjes, sepse qysh nga momenti kur vendosa të kandidoj për postin më të lartë të shtetit, realizova kontratën me vetveten që ky pozicion të imponon, që pavarësisht nga cili “background” vjen, të imponon që të jesh në funksion të ekuilibruar, konform Kushtetutës dhe ligjeve. Ky është momenti bazal i ushtrimit të funksioneve, por ka edhe një moment tjetër që është ekuilbiri njerëzor, për të qenë në një pozicion, i cili duhet të jetë mjaft i kujdesshëm në raport me ndjeshmëritë e ndryshme dhe besoj që, nisur nga këto premisa dhe nga kjo lloj kontrate e vendosur qysh në momentin kur unë vendosa që të kandidoj, besoj që nuk ka qenë e vështirë. Kjo është një çështje e implementimit të vullnetit dhe të dëshirës. Gjatë implementimit sigurisht që ka momente të vështira që lidhen me konjuktura të caktuara, në një mjedis ku gjykimet dhe paragjykimet janë të pranishme. Por, gjithsesi, në raport me atë ç’ka unë kam vendosur me vetveten, besoj që jam në atë pozicion ku nuk bëhet fjalë më të jem pjesë e një strukture, qoftë edhe nga pikpamja psikologjike, sot jam i të gjithëve dhe po mundohem me përkushtim të realizoj këtë mision që ma jep pozicioni i Presidentit.

Zëri i Amerikës: Zoti President, duket se opozita nuk është e një mendjeje. Marrëdhëniet me të majtën fillimisht u duk sikur e kaluan ngërçin e parë, madje ju patët takime radhazi me të gjithë krerët e së majtës, por tashmë opozita ju akuzon se jeni bërë palë me qeverinë. Nuk mund të flitet për marrëdhënie të qeta të themi.

Presidenti Topi: Është vetëm një pjesë, apo një segment. Dhe unë dëshiroj që të mos jetë linjë institucionale e instaluar, sepse kur ju thashë një mjedis gjykimesh, apo paragjykimesh kisha parasysh edhe reagime të kësaj natyre. Unë nuk besoj që politika e ditës mund të jetë ajo që duhet të përcaktojë dominantin e marrëdhënieve institucionale. Gjithçka ka qenë transparente, e realizuar konform ligjeve dhe kuadrit kushtetues. Unë do të doja që kjo klimë paragjykuese të shmanget në mënyrë përfundimtare, sepse e rikonfirmoj që jam i interesuar për reformat.

Zëri i Amerikës: Megjithatë zoti President, ka një çështje konkrete, e cila solli këtë tendosje në raportet mes jush dhe opozitës, është ajo e Prokurorit të Përgjithshëm. Në të vërtetë mund të thuhet se ishin të paktë ata që besonin se nuk do të firmosej dekreti për shkarkimin e zotit Sollaku, por duket se më tepër acarimin e gjëndjes e solli një precipitim, të paktën në dukje në marrjen e vendimit nga ana juaj. Kujtoj që më 21 nëntor ju deklaruat në Bruksel në konferencën e përbashkët për shtyp me z. Solana se raporti ishte në përfundim dhe ekspertët që ju...

Presidenti Topi: Absolutisht po.

Zëri i Amerikës: ... dhe pa kaluar 24 orë në mëngjesin e ditës së nesërme, përpara se të niseshit për në Kroaci firmosët dekretin për shkarkimin, ashtu dhe për emërimin. Çfarë ndodhi? Përse kjo shpejtësi?

Presidenti Topi: Nuk ka ndodhur absolutisht asgjë jashtë normales. Ka qenë një komunikim shumë luajal në konferencën për shtyp me zotin Solana në vijim të një pyetje që “e keni shkarkuar z. Sollaku?”. Në atë moment kur kam folur, sigurisht që nuk kisha bërë asnjë veprim lidhur me shkarkimin e zotit Sollaku. Kur kam thënë që raporti është në përfundim, kam qenë mëse i drejtëpërdrejtë dhe të bësh një veprim 24 orë mbrapa nuk është shkelje, nuk është një veprim absolutisht kundër atyre që kam deklaruar, sepse e kam kryer 24 orë mbrapa. Do të thotë që në përfundim të raportit të ekspertëve, të cilët kanë punuar të pavarur nga njëri-tjetri, pa e njohur njëri-tjetrin, kane arritur në përfundime kryesisht të vërtetuara në raportin e Komisionit Parlamentar. Lidhur me atë ç’ka erdhi më mbrapa me zgjedhjen e Kryeprokurores, që ka ardhur pak a shumë në sinkron, pra momenti i shkarkimit i hapi rrugë momentit të dekretimit, kjo sigurisht nuk ka ndodhur në orën pesë të mëngjesit, sikurse është deklaruar nga segmente të caktuara të politikës. Për hir të transparencës kjo ka ndodhur me saktësi në orën 9.15 minuta të mëngjesit të ditës së nesërme, ku unë kam tentuar të komunikoj edhe me përfaqësues të opozitës, po tregohem shumë analitik, sepse është moment shumë i rëndësishëm, kam pritur zotin Berisha në zyrë, kam tentuar të lidhem me kryetarin e opozitës, zotin Rama dhe mbas një komunikimi me sekretaren e tij më është bërë e ditur që zoti Rama ndodhet për vizitë në Bon të Gjermanisë, kam tentuar të lidhem me zonjën Leskaj, e cila nuk i është përgjigjur kësaj telefonate, nuk e di për çfarë arsye sepse marrëdhëniet janë mjaft të mira me kryetaren e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka qenë për një vizitë në Bruksel dhe unë kam qenë i vendosur për emrin e Kryeprokurores për një arsye shumë të thjeshtë dhe luajal me konsultimet që kam bërë me të gjithë krerët e partive politike parlamentare. Nuk është diskutur per emra, nuk eshte dhënë asnjë lloj premtimi që do të analizohen emrat, por do t’i qëndrojmë besnik standardeve dhe standardet që kërkoheshin ishin mjaft elokuente dhe shumë të qarta. Do të jetë një Kryeprokuror në rastin e nevojës për të emëruar një Kryeprokuror të ri, një njeri i cili vinte nga sistemi, nuk vinte jashtë sistemit pra nga politika, nuk do të ketë lidhje me politikën, në “background-in” e tij, apo të saj nuk do të ketë asnjë moment që të jetë kompromentuar nga politika, një njeri që do të plotësonte në mënyrë të qartë të gjitha standardet, pra që do të vinte nga Shkolla e Magjistraturës, do ishte një njeri që do të kishte vlerësimet maksimale dhe ashtu ishte. Besoj që është bërë një përzgjedhje dhe fatmirësisht që Parlamenti shqiptar në një votim që është realizuar në kuti, pa pasur asnjë lloj momenti që të jetë influencuar edhe nga një votim i hapur, ka ardhur në një shifër e cila i afrohet tre të pestave të Parlamentit, ndërkohë kur deputetë të mazhorancës aktuale nuk kanë qenë të pranishëm, pra ka marrë vota edhe nga opozita, ç’ka presupozon që përzgjedhja konform standardeve ka qenë mjaft luajale dhe ka qenë në funksion të asaj që është biseduar nga të gjithë krerët e partive politike parlamentare.

Zëri i Amerikës: Zoti President, megjithatë kjo çështje vijon të mbajë peng reformën në drejtësi. Ju në shtator organizuat edhe një tryezë të forcave politike parlamentare. Ndërkohë të mërkurën ju startuat me konsultimet teknike, nën drejtimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por mungesa e këtij bashkëpunimi politik, kjo klimë mosbesuese jo vetëm e opozitës me ju, por edhe të opozitës me mazhorancën, a e rrezikon reformën, mund të mos themi dështimin, por zgjatjen në kohë siç ndodh rëndom në Shqipëri?

Presidenti Topi: Unë besoj që të gjitha palët, pra në radhë të parë reformën do ta bëjë pjesa e legjislativit, pra do ta bëjë mazhoranca dhe opozita. Nuk ka asnjë lloj diskutimi që pjesën formale, unë do të thoja që jo vetëm pjesën formale, por edhe substanciale duhet ta marrë politika në dorë, në bashkëpunim me komunitetin e juristëve, të cilët janë të domosdoshëm në këtë proces. Ky proces nuk duhet konsideruar si një proces tërësisht politik, duhet të jetë një kombinacion perfekt i vullnetit politik dhe i profesionalizmit. Pra, ky mision është një mision madhor. Nuk ka të bëjë me një individ, me një institucion, ka të bëjë në radhë të parë me vullnetin e forcave politike, të cilat duhet të gjejnë bashkëpunimin me komunitetin e juristëve kudo që ata punojnë. Besoj se është një moment që kërkohet me ngulm si një standard që duhet të arrihet edhe nga institucionet ndërkombëtare ku ne tentojmë që të aderojmë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, doja të ndalesha së fundmi në çështjen e Kosovës. Ajo tashmë është një çështje ndërkombëtare, negociatat dështuan, kemi këmbënguljen e vazhdueshme “kundër” të Rusisë. Megjithatë ka sinjale pozitive të Bashkimit Evropian për një qëndrim unik. Si i prisni ju zhvillimet në ditët dhe javët e ardhshme? Sa e afërt mendoni se do të jetë dita për marrjen e vendimit për statusin?

Presidenti Topi: Brenda një periudhe shumë të shkurtër ne kemi pasur mundësinë që të shohim një përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare në funksion të çështjes së pavarësisë së Kosovës. Pra ajo ç’ka do të ndodhë tashmë dihet. Kosova do të marrë statusin e pavarësisë dhe kjo po konfirmohet çdo ditë me pozicione të reja të vendeve që kanë qenë skeptike në këtë drejtim. Unë besoj që pavarësia e Kosovës është një çështje ditësh dhe është mjaft e rëndësishme që politika e Bashkimit Evropian, sikurse thashë po vjen në një pikë të përbashkët ku do të demostrojë në mënyrë të qartë që njohja e Kosovës, qoftë kjo edhe në mënyrë unilaterale do të jetë mjaft masive. Në këndvështrimin tim, nisur edhe nga informacionet besoj që situata në Kosovë do të vazhdojë të qëndrojë e qetë edhe pas momentit të shpalljes së pavarësisë, nisur edhe nga një perceptim i vendeve të rajonit, të cilat po e pranojnë këtë realitet të ri në rajonin ballkanik si pjesë e një realiteti të domosdoshëm për ruajtjen e qetësisë në rajonin ballkanik dhe besoj edhe më gjerë. //iç//

XS
SM
MD
LG