Lidhje

SHBA: Debati për fjalën e lirë, po aq i vjetër sa edhe vetë Republika


Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit ndaj Shteteve të Bashkuara, amerikanët kanë debatuar shpesh në një debat intensiv lidhur me balancimit të nevojës së qeverisë për t’i mbrojtur nga dhuna terroriste dhe lirisë së fjalës, të garantuar nga kushtetuta, përfshirë shprehjet e urrejtjes. Por një letër e zbuluar kohët e fundit dhe e shkruar para dy shekujsh nga Thomas Jeffersoni tregon se ky debat është po aq i vjetër sa edhe vetë Republika. Letra e Jeffersonit dhe rëndësia e saj përbëjnë subjektin e një libri të ri të profesorit të së drejtës të Universitetit të Harvardit Alan Dershowitz.

Alan Dershowitz ka shkruar disa libra gjatë 50 vjetësh, ku ka analizuar themelet e lirisë së shprehjes që garantohen nga amendamenti i parë i Kushtetutës Amerikane.

Por historia e librit të ri të Prof. Dershowitzit “Gjetja e Jeffersonit: Një letër e humbur, një zbulim i rrallë dhe amendamenti i parë në epokën e terrorizmit”, filloi vetëm në vitin 2006.

Në një dyqan të preferuar librash të rrallë në New York, atij i treguan një letër të vjetëruar, me shkrim dore që mbante datën 3 korrik 1801.

“Ishte shkruar nga Thomas Jeffersoni në prag të 25 vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë Presidenca e tij sapo ishte konfirmuar pas një procesi të vështirë zgjedhor. Dhe në atë moment kishte shkruar një letër pikërisht për ato çështje që unë i kisha përcjellë në mendje gjatë gjithë jetës. Po të besoja më shumë tek fati do të kisha thënë: ‘O Zot, ma paska shkruar mua!’. Doja që atë letër ta lexonte gjithkush”.

Presidenti Jefferson e kishte shkruar letrën që ishte vetëm një faqe në përgjigje të një predikimi të një prifti që ishte mjaft popullor në atë kohë.

“Ai kishte thënë se nëse një prift, hoxhë, rabin apo udhëheqës fetar shkruante një predikim që i nxiste besimtarrët të bënin krime, ai duhej të dënohej. Jeffersoni thoshte jo. Njerëzit kanë të drejtën të shprehin mendimet e tyre”.

Në letrën e tij, Jeffersoni shkruante se “nuk kemi pse t’i druhemi nga arsyetimet demoralizuese të njerëzve, nëse të tjerët lejohet t’i shprehin lirisht mendimet e tyre edhe të gabuara dhe se kjo do të sillte më shumë rezultat sesa vendimi i një gjykatësi”.

Pra nëse lejohet që idetë dhe mendimet të shprehen lirisht në publik, njerëzit e zakonshëm mund ta gjykojnë vetë se çfarë të besojnë dhe si të veprojnë. Prof. Dershowitz thotë se kjo pikëpamje ishte shumë e guximshme për kohën.

Në librin e tij, ai hera herës i sfidon argumentet e themeluesit të shtetit amerikan. Për shembull, ai vë në dukje se qarkullimi i lirë i ideve që Jeffersoni e ngre lart, nuk sjell gjithmonë rezultatet më të mira.

“Fakti që mund t’i kesh në dispozicion të gjitha këndvështrimet, nuk do të thotë që njerëzit do të gjykojnë gjithmonë drejt. E vërteta nuk doli në dritë në zgjedhjet e Gjermanisë naziste në vitin 1932 dhe më pas mund të mos ketë dalë në pah në zgjedhje e shumë vendeve. Përveç kësaj, nuk e di se si do të reagonte ai ndaj mendimeve që shprehin duke ngritur zërin drejtuesit e bisedave televizive dhe radiofonike. Nuk jam i sigurt që ai do të mendonte se ky është thelbi i demokracisë”.

Zoti Dershowitz i vlerëson udhëheqësit e Danimarkës që në vitin 2005, nuk u hapën udhë thirrjeve për censurë të shtypit nga myslimanët që u ofenduan nga karikaturat e gazetave që e nxirrnin profetin Muhamed nën një dritë që sipas tyre përbënte sakrilegj.

“Po bëre një herë përjashtim, gjithkush do të kërkojë përjashtimet që i interesojnë. Dhe papritur e pakujtuar vjen një pikë që nuk mund të lejosh të thuhet asgjë”.

Libri i ri i Alan Dershowitzit është një kontribut i mirëpritur për debatin mbi lirinë e shprehjes në epokën e terrorizmit. Është gjithashtu një kujtesë e dobishme, se mendimet e Thomas Jeffersonit për këtë temë janë po aq të rëndësishme dhe ngacmuese sot, sa edhe atëherë kur ai i shprehu ato, mbi dy shekuj të shkuar. //ii

XS
SM
MD
LG