Lidhje

SHBA: Kompanitë ndihmojnë punonjësit të lenë duhanin


Gjatë dy dekadave të fundit, biznese të ndryshme në Amerikë kanë krijuar mjedise pune ku nuk lejohet duhani duke iu përgjigjur shqetësimit për pasojat që shkaktohen tek ata që nuk pijnë duhan. Punonjësit që pinë duhanin janë të detyruar ta pinë atë jashtë. Kohët e fundit, një numër në rritje punonjësish po bëjnë edhe më shumë përpjekje të ndihmojnë ata që pinë duhan që ta lënë atë.

Arthur Salamon është drejtues i një organizate për lënien e duhanit. Ai zhvillon konsulenca telefonike për duhanpirësit që duan të lënë cigaren.

“Ajo që ne bëjmë në telefonatën e parë është që ne flasim rreth historisë dhe eksperiencës së atyre që e kanë lënë njëherë në të kaluarën dhe e përdorim këtë informacion për të ndërtuar një strategji për t’a lënë njeherë e mirë cigaren”.

Salamon punon me Free and Clear, një organizatë që ofron shërbime për lënien e duhanit në 17 shtete. Ai është një prej specialistëve që punojnë rreth 18 orë në ditë në konsulencat telefonike .

“Unë flas me rreth 12 njerëz në ditë. E bëj këtë punë për 5 ditë në javë, pra 52 javë në vit. Pra flas me mijëra njerëz çdo vit”.

Ndërsa disa prej tyre e ndjekin këtë shërbim, pasi janë nën presionin e punëdhënësve të tyre, Salamon tha se më të shumtët e përshëndesin këtë shërbim.

Dhe mbas një numër seancash konsultimi, ai thotë se disa nga klientët, e lënë njëherë e mirë duhanin.

Bizneset po paguajnë për shërbimet konsultative dhe trajtimin e duhanpirësve. Zëvendës Presidenti i organizatës Free and Clear Sean Bell, thotë se kompania ka një fond të veçantë për këtë qëllim.

Rreth 50 % e atyre që janë të siguruar në Shtetet e Bashkuara, e kanë siguracionin shëndetësor nga punëdhënësit e tyre. E ndërsa punëdhënësit vazhdojnë të shohin për mënyra që do të ndihmonin koston e tyre financiare që mbulon sigurimet, të cilat rriten vit mbas viti si pasojë e inflacionit, ata vështrojnë dhe mundësinë për të paraqitur programe për shëndetin dhe mbarëvajtjen e tij të cilat do të inkurajojnë punonjësit e tyre që të bëjnë një jetë më të shëndetshme; kështu që do të ulin koston e siguracionit për punonjësit me sëmundje kronike dhe të vazhdueshme”.

Bell thotë se duke ndihmuar punonjësit që të lenë duhanin gjithashtu reduktohet kostoja e mungesave në punë si pasojë e sëmundjeve kronike të shkaktuara nga duhani. Disa biznese, shton ai, i ofrojnë programe të tilla që të përmirësojnë imazhin e tyre.Kjo është pjesë e një prirjeje pozitive, sipas Ron Finch të Grupit Kombëtar të Biznesit për Shëndetin. Ai përcakton dhe përpjekje të tjera për mbështetjen e punënjësve me probleme peshe apo që duan të kenë nën kontroll diabetin, si shembuj se si bizneset janë përqëndruar në përmirësimin e shëndetit të punonjësve të tyre.

“Punonjësit po i vënë theksin shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve kronike. Kjo po merr një rëndësi në rritje, pasi krahu i punës plaket me kalimin e viteve. Gjithashtu, brezi i ri që hyn si krah i ri pune, është më pak i shëndetshëm, si pasojë e stilit të jetës që bëjnë. Dhe të ofrosh këto shërbime parandaluese dhe të kujdesesh për shëndetin e punonjësve është e rëndësishme”.

Me shtimin e interesimit të kompanive të të gjithë llojeve për programe të tilla, Finch pret që kjo prirje të vazhdojë dhe të përhapet edhe më tepër. //ii

XS
SM
MD
LG