Lidhje

Sejdiu: Do të kërkoj nga Këshilli i Sigurimit mbështetje për pavarësinë


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u nis sot pasdite për në New York. Ai do të marrë pjesë më 19 dhjetor në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në të cilën do të diskutohet mbi raportin e treshes së Grupit të Kontaktit për Kosovën.

Para nisjes, ai e cilësoi këtë si një rast të mirë që para ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit të dëgjohet edhe zëri i Kosovës. Presidenti Sejdiu tha gjithashtu se do të paraqes edhe arritjet e Kosovës gjatë këtyre viteve dhe do të kërkojë nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit mbështetje për pavarësinë e Kosovës.

Presidenti Sejdiu, i cili është zyrtari i parë nga Kosova që flet në Këshillin e Sigurimit tha se gjatë qëndrimit në New York, do të ketë edhe takime me përfaqësuesit e vendeve që e mbështesin pavarësinë e Kosovës për të bashkërenduar hapat e mëtejshëm.

Bashkë me presidentin Sejdiu në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit do të marrë pjesë edhe kryeministri i ardhshëm Hashim Thaçi.

Me gjithë kundërshtimin e Serbisë dhe Rusisë që përfaqësuesit të Kosovës të mos i lejohej të flasë në Këshillin e Sigurimit, me arsyetimin se "Kosova nuk është shtet", pas një diskutimi të gjatë dhe të vështirë vendet anëtare të Këshillit më në fund kanë arritur marrëveshje që megjithatë Presidenti Sejdiu, të flasë para ambasadorëve të 15 vendeve anëtare. //ii

XS
SM
MD
LG